Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, Melania Trump, u rikthye në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë, ku njoftoi një donacion prej 2 milionë dollarësh për zgjerimin e programit të saj për bursat në 26 universitete.

Në fjalimin e saj, Melania Trump iu përgjigj indirekt edhe kritikave lidhur me mungesën e saj nga aktivitetet publike.




“Dëgjova se ju kisha munguar. Ja ku jam”, tha Zonja e Parë, pasi doli nga Zyra Ovale krah për krah me bashkëshortin e saj, presidentin Donald Trump.

Dalja e saj erdhi pas një sërë artikujsh në mediat amerikane që ngrinin pyetjen: “Ku është Melania?”.

Ajo ishte parë për herë të fundit në publik më 19 korrik, gjatë finales së Kupës së Botës 2026.

Melania njoftoi se nisma e saj “Fostering the Future” do të zgjerojë rrjetin kombëtar falë një donacioni prej 2 milionë dollarësh nga IndyCar dhe Fox Corporation.

Fondet do të përdoren për bursa në Universitetin e Indianës dhe Universitetin Purdue.

“Investimi më i madh që Amerika mund të bëjë nuk është në teknologji, infrastrukturë apo tregjet e kapitalit. Është te fëmijët tanë”, deklaroi ajo.

“Avantazhi më i madh konkurrues i Amerikës mbetet te vetë njerëzit e saj. Udhëheqësit e së nesërmes janë sot në bankat e shkollës, përfshirë edhe ata që rriten në kujdesin e familjeve kujdestare. Aftësitë e tyre nuk janë më pak të jashtëzakonshme”, shtoi Zonja e Parë.

Melania Trump është përballur me kritika në median amerikane për numrin relativisht të kufizuar të daljeve publike.

Sipas USA Today, Këshilltari i saj i lartë, Marc Beckman, kundërshtoi idenë se mungesa e daljeve publike nënkupton mungesë pune.

“Kjo Zonjë e Parë është e përqendruar te rezultatet. Ajo nuk është e përqendruar te imazhi”, tha Beckman.

Ai përmendi miratimin në maj nga Dhoma e Përfaqësuesve të ligjit “Fostering the Future Act” dhe përpjekjet e Melania Trump për ta çuar atë për votim edhe në Senat.