LAJMI I FUNDIT:

Deda: Në qeverinë e ardhshme të mos ketë pjesë të PAN-it

Deda: Në qeverinë e ardhshme të mos ketë pjesë të PAN-it

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda, duke folur për aktualitetin politik në vend para shpërbërjes së Kuvendit dhe shkuarjes në zgjedhje të parakohshme, ka thënë se Qeverinë e ardhshme duhet ta krijojë opozita e tashme.

Deda, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “nuk ka logjikë që me qenë kundër PAN-it si grup, por me dal bashkë më zgjedhje me pjesë të PAN-it”.

Postimi i plotë i Dedës:

“Zgjedhjet e radhës janë mundësi për Kosovën, po jo me diskutimet “kush osht kryeministër” apo “kush me kon po bon koalicion” para ose pas zgjedhjeve.

Logjika e thotë që Qeveria e tashme duhet të bëhet opozitë, dhe opozita e tashme të bëhet Qeveria e ardhshme. E në Kosovë logjika e shëndoshë po sfidohet.

Ku është logjika me qenë kundër PAN-it si grup, por me dal bashkë më zgjedhje me pjesë të PAN-it?

Apo, ku është logjika që në këto zgjedhje vendimtare të thuhet “vullneti i anëtarësisë është të dalim vet në zgjedhje”?

Apo “bëjmë koalicion vetëm me udhëheqësin tonë”?

Të gjitha partitë e kanë para vetës sondazhin e bërë pas 3 gushtit, ku të katër partitë e mëdha janë mes 19 e 22%, dhe për arsye të margjinës së gabimit nuk dihet cila është partia e parë. Unë këtu s’po shoh ndryshim, por Qeveri me pjesë të PAN-it prap, qeveri të gjysmë-ndryshimit.

Është vetëm një mundësi për ndryshim – ai i cili është në tryezë qe 10 vjet, po asnjëherë nuk e realizua për shkak të raporteve mes partive, dhe interesave të tyre partiake apo grupeve brenda partive. Ky është bashkimi i forcave demokratike, lista e përbashkët, dhe programi emergjent qeverisës”, ka shkruar Deda.

Reagimi i Dedës vjen pas paralajmërimeve nga taborë të ndryshëm politikë të partive opozitare se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të mund të shkonin në koalicion me parti nga koalicioni aktuale qeverisës. /Telegrafi/