LAJMI I FUNDIT:

Deda: 6 tetori mundësi historike për kapërcimin e madh

Deda: 6 tetori mundësi historike për kapërcimin e madh

Ish – deputeti, Ilir Deda, ka thënë se 6 tetori është mundësi historike për kapërcimin e madh.

Deda në një postim në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar se jetët janë shumë të shkurta që të presim edhe 10 apo 20 vite për ndryshimin që populli i Kosovës e do dhe e beson. Sipas tij kjo gjë bëhet me ndryshim, nuk bëhet vetvetiu, e as me kalim të kohës.

Ndër të tjera ai ka shkruar se asnjë nga pretendentët e ndryshimit nuk janë idealë, por sipas tij do t’a avancojnë Kosovën së paku dhe në rastin më të keq një hap tutje.

Ai ka kërkuar që t’iu jepet mundësia që ta dëshmojnë veten, dhe se sipas tij ta dinë që nuk do t’i falet asnjë gabim nëse nuk qeverisin më mirë.

Postimi i plotë:
Të dashur miq,

Përfundoi edhe kjo fushatë. Për disa pak e gjatë, për disa pak e mërzitshme, për disa shumë shpresëdhënëse. Entuziastë e të zhgënjyer, të shpresë e të pashpresë, nuk mund të lejojmë vazhdimësinë pas 6 tetorit. Duhet të dalim e të votojmë për ndryshimin që e besojmë.

Ndoshta ky ndryshim nuk do të jetë i përkryer, por duhet të bëhet, sepse vazhdimësia nuk është vendnumrim, në rastin tonë mund të jetë shkatërrimtare.

Nuk mund të rrijmë dhe shikojmë degradimin e gjithçkaje që na rrethon dhe të besojmë që vetëm migrimi është shpëtimtar. Ne duhet t’i japim drejtim shtetit tonë me pjesëmarrje masive në zgjedhje këtë të diel.

Jetët tona janë shumë të shkurta që të presim edhe 10 apo 20 vite për ndryshimin që e duam dhe e besojmë.

20 vite në liri kaluan shumë shpejtë, por lirisë duhet t’i jipet kuptimi – e ky kuptim është një qeverisje ndryshe, transparente dhe e përgjegjshme, rishpërndarje e buxhetit në drejtim të zhvillimit ekonomik, arsimit e shëndetësisë më cilësore, rritjes së mirëqenies, qeverisje me duar të pastra, pa nepotizëm e familjarizëm. Gjithashtu ka të bëjë edhe me përfundimin e dialogut – shumë të vështirë dhe jashtëzakonisht sfidues – me Serbinë.

Ne duhet të bëhemi qytetarë me dinjitet të një shteti dinjitoz. E kjo bëhet me ndryshim, nuk bëhet vetvetiu, e as me kalim të kohës.

6 tetori është mundësi historike për kapërcimin e madh. Nëse e humbim këtë mundësi mund të kalojë kohë bukur e gjatë derisa të vjen mundësia e ardhshme.

Asnjë nga pretendentët e ndryshimit nuk janë idealë, por megjithate do t’a avancojnë Kosovën së paku dhe në rastin më të keq një hap tutje.

T’ua japim pra mundësinë që ta dëshmojnë veten. Dhe ta dijnë që nuk do t’i falet asnjë gabim nëse nuk qeverisin më mirë. Ashtu siç nuk do të na falet neve nëse nuk e shfrytëzojmë këtë mundësi – sado e papërkryer – që e kemi para nesh. Të djeshmen po e dijmë, t’i japim pra mundësi të nesërmes që i besojmë.
I juaji,
Iliri