Ostiamare është në festë pas rikthimit në Serie C, sukses që vjen 35 vjet pas herës së fundit kur klubi i bregdetit romak kishte qenë pjesë e futbollit profesionist. E gjithë kjo u bë fal Daniele De Rossit, i cili si fëmijë luante në këtë klub, ndërsa e bleu vitin e shkuar, për t'i renditur sukseset.

“Sezonet e fundit të Ostiamares në C kanë qenë në 1988-89 (atëherë quhej C2). Isha djalë i ri. Sot, në moshën 66-vjeçare, s’di ta shpjegoj emocionin që më pushtoi kur u rikthyem mes profesionistëve”, ka thënë ish-drejtori sportiv i klubit në atë periudhë, Paolo Paone.


Ostiamare e siguroi ngjitjen dje, pasi kryeson grupin me 79 pikë, edhe pse ka ende një xhiro për t’u luajtur.


Paone thekson se kthesa e madhe erdhi pas ndërhyrjes së Daniele De Rossit, i cili e mori klubin në janar të vitit 2025, në një moment kur ishte pranë falimentimit, duke e blerë nga familja Di Paolo.

“De Rossi e përmbysi një situatë të turpshme, të komprometuar. Ishte vendimtar edhe sepse është ‘djalë i Ostiës’ dhe ndërhyri për ta marrë skuadrën ku kishte lindur futbollistikisht. Kur ne e fituam kampionatin atëherë, Daniele ishte vetëm një djalosh te moshat".

"Nuk e mbaj mend nëse ishte tashmë numri 9, por ishte patjetër sulmues”, rrëfen Paone, duke kujtuar edhe një telefonatë të De Rossit.

“Më tha: ‘Përveç familjes sate, a njeh ndonjë tjetër ‘të çmendur’ që do ta merrte klubin?’. Unë iu përgjigja: ‘Po, familjen tënde’. Ai qeshi dhe tha se donte ta bënte diçka të madhe”.

Sipas Paones, bukuria e historisë është se “35 vjet më parë një grup sipërmarrësish nga Ostia e çoi klubin në Serie C, ndërsa 35 vjet më vonë një tjetër njeri nga Ostia e rikthen sërish në C”.

Ai shton se mendja e sezonit ka qenë Alberto De Rossi (babai i Danieles), të cilin e konsideron figurë kyçe në organizim, ndërsa meritë i jep edhe trajnerit David D’Antoni, që e mori ekipin në 2025 dhe e udhëhoqi drejt ngjitjes.


Festa u zhvillua në Ostia dhe, sipas Paones, ishte “e paharrueshme”.

“Daniele mori avionin dhe u nis menjëherë drejt nesh. Festuam me autobusin e ekipit aty pranë – një moment i jashtëzakonshëm për gjithë Ostiën”.


Megjithatë, klubi ka ende edhe ndeshjen e fundit ndaj Giulianovas, para se vëmendja të kalojë te sfida e re, Serie C. /Telegrafi/

telegrafi sport app