LAJMI I FUNDIT:

DE NIRON DO TA VRASIN NË FUND TË FILMIT

DE NIRON DO TA VRASIN NË FUND TË FILMIT
Xhevdet Bajraj (Foto: A. Sh)

Poezi nga: Xhevdet Bajraj

Mes rrënojave të asaj që dikur ishte parajsë
bën ftohtë
aq ftohtë saqë edhe pemët dridhen
i hedhin frutat


Brenda shtëpisë
nëna ngadalë po vdes e ulur në kolltuk
duke e shikuar një film me De Niron

Jashtë
bëhet fushatë politike
janë zgjedhjet
votohet për vrasës
(me dhe pa pagesë)
për hajna
për mashtrues
dhe për skllevërit e tyre

Hoxha ia fut ezanit kot
kot bien edhe kambanat e kishës
Zoti na ka trajtuar me dinjitet
duke na dhënë vullnet të lirë
fuqinë për të marrë vendime tona
politikanët nuk na japin këtë mundësi

Nënë
De Niron do ta vrasin në fund të filmit
po dal unë ta pi ndonjë birrë
të lutem për ne të dy
në njërën nga kafenetë e qytetit
mos ke dert
nuk do të pi nëpër rrugët
që mbajnë emra heronjsh të shpifur
sapo mora vesh që në rrugën ‘Shën Nëna Terezë’
një vrasës e kishte hapur një tavernë të re
dhe të lutem
lëre derën hapur
mbaje dritën ndezur në zemër
që ta di ku të kthehem

(Nga libri në dorëshkrim me titull pune “Fishkëllima e vdekjes”, botues Sh. B. “Armagedoni”)