LAJMI I FUNDIT:

DASH: Korrupsioni, Shqipëria dënon zyrtarët e vegjël

DASH: Korrupsioni, Shqipëria dënon zyrtarët e vegjël

Korrupsioni mbetet ndër problemet madhore të Shqipërisë, i evidentuar edhe në raportin më të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për respektimin e të drejtave të njeriut përgjatë vitit 2015.

“Problem madhor me të drejtat e njeriut mbetet korrupsioni në të gjitha nivelet e qeverisjes, sidomos në atë gjyqësor dhe shëndetësor.”, shkruhet në raportin e DASH.


Sipas DASH, janë vetë autoritetet që shkelin të drejtat e njeriut në disa raste, dhe në për këtë i referohet personave të shoqëruar, atyre të arrestuar apo gjatë marrjes në pyetje të të dyshuarve për vepra të ndryshme penale.

“Gjithashtu, janë vënë re raste të mbajtjes nën arrest të personave pa asnjë bazë akuze”, thuhet në raportin e DASH, ku ngrihet edhe shqetësimi për kushtet në burgje.

Në këtë kontekst, edhe procedimi i personave që kanë kryer vepra penale – thotë raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit – vijon të mbetet arbitrar.

“Ndjekjet ligjore dhe sidomos dënimet e zyrtarëve që kanë kryer shkelje kanë mbetur sporadike dhe të paqëndrueshme. Zyrtarët, politikanët, gjykatësit dhe personat me lidhje të fuqishme biznesi shpesh kanë mundur t’i shpëtojnë ndjekjes penale,” nënvizon raporti.

Qeveria filloi hetimet për disa zyrtarë të nivelit të lartë, por prokuroria më pas vendosi t’i pushojë këto çështje”, thuhet në kapitullin për Shqipërinë.

Dhuna në familje dhe diskriminimi i gruas evidentohet gjithashtu si një problem në raportin e DASH. Vendi ynë vijon ende të numërojë raste të shumta të martesave me detyrim, shumë fëmijë detyrohen të lypin në rrugë, veçanërisht nga komuniteti rom. Në raport flitet edhe për trafikimin e fëmijëve dhe grave për qëllime seksuale apo pune.

“Margjinalizimi dhe abuzimi me romët dhe egjiptianët është problem serioz. Përmendim këtu edhe shembjen e vendbanimeve të tyre pa asnjë bazë ligjore. Ka fëmijë që shfrytëzohen për punë, siguracionet nuk paguhen dhe puna në të zezë ndëshkohet rrallë”, shkruan DASH.

Qeveria, shkruan DASH, ka bërë pak sa i përket çështjes së pronave të bllokuara nga diktatura komuniste, “ka ende zvarritje dhe shkelje në këtë drejtim”.