Dita e parë e Damien Comollit te Juventusi filloi mëngjesin e së mërkurës, ku rreth orës 11:00, ai mbërriti në Continassa, ku iu bashkua Giorgio Chiellinit, i cili kishte qenë në klub disa orë më parë. Ai e nisi takimin e parë me ata që punojnë në klub, duke përfshirë edhe trajnerin Igor Tudor.

Comolli, i emëruar të dielën si Drejtor i Përgjithshëm i Zonjës së Vjetër, ka filluar zyrtarisht punën. Ndërkohë, Chiellini u promovua në rolin e Drejtorit të Strategjisë së Futbollit.


Siç raportojnë “La Gazzetta dello Sport” dhe media të tjera italiane, Comolli zhvilloi një takim të rëndësishëm me trajnerin Igor Tudor, i cili do të udhëheqë ekipin në SHBA për Kupën e Botës për Klube.

Ky takim ishte një mundësi për të diskutuar drejtimin që duan të marrin dhe për të vendosur bazat e bashkëpunimit. Sipas mediave, takimi mes Comollit dhe Tudorit ishte shumë pozitiv dhe ka rritur shanset që trajneri kroat të mbetet në krye edhe për sezonin e ardhshëm.

Kjo do të varet gjithashtu nga rezultatet e skuadrës në Kupën e Botës për Klube dhe marrëdhënia që Tudor do të ndërtojë me Comollin. Në këtë moment, mundësia e qëndrimit të Tudor është gjithnjë e më konkrete, për aq kohë sa nuk gjenden profile të tjera që mund të kënaqin drejtuesit.

Përveç diskutimeve për të ardhmen e Tudor, Comolli po planifikon së bashku me Chiellinin strategjitë e transferimeve.

Prioritet i tyre mbeten lojtarët që janë të huazuar dhe që Zonja e Vjetër dëshiron t’i mbajë për Kupën e Botës për Klube. Negociatat janë duke vazhduar me PSG-në për Randal Kolo Muanin dhe me Chelsean për Renato Veigën, ndërsa Francisco Conceiçao pritet të qëndrojë, duke zgjatur huazimin e tij nga Porto.

Juventusi mbetet i interesuar për Jonathan Davidin dhe i ka ofruar atij një kontratë prej 6 milionë eurosh në vit plus 2 milionë euro bonuse deri në vitin 2030.

Po ashtu, Comolli dhe Chiellini duhet të identifikojnë një drejtor të ri sportiv. Kandidatët kryesorë për këtë rol janë Frederic Massara, Hasan Salihamidzic, Diego Lopez dhe Javier Ribalta, ndërsa Matteo Tognozzi mund të kthehet si drejtues i skuatingut. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app