LAJMI I FUNDIT:

Dallimi midis gazetarëve kurriz drejtë dhe atyre të përkulur

Dallimi midis gazetarëve kurriz drejtë dhe atyre të përkulur

Marco Travaglio

“Faktet, të ndara nga opinionet”, ishte motoja e “Panoramës” mitike të Lamberto Sechit, krijues i gazetave të mëdha dhe gazetarëve të mëdhenj. Më vonë, me kohë, kjo moto ka rënë, duke u zëvendësuar nga një (moto) tjetër më e sofistikuar: “Asnjë fakt, vetëm opinione”. Të parat nuk duhet të shqetësojnë të dytat. Pa fakte mund të ngulësh këmbë për gjithçka dhe kundër gjithçkaje. Me faktet, jo.

– Ka nga ata që i fshehin faktet, sepse nuk i njohin, janë të paditur, të papërgatitur, të shkujdesur dhe nuk kanë dëshirë të studiojnë, të informohen, të njihen me faktet e ditës.

– Ka nga ata që i fshehin faktet, sepse për të gjetur lajmet duhet të lodhesh dhe ka rrezik të djersitesh.

– Ka nga ata që i fshehin faktet, sepse nuk duan telashe dhe përpiqen të shpëtojnë duke notuar, duke manovruar, rrëshqitur.

– Ka nga ata që i fshehin faktet, sepse kanë frikë prej padive, nga gjyqet, nga kërkesa milionëshe për dëmshpërblim në redaksi, që e rrezikojnë rrogën dhe tërheqin rrufetë e botuesit të lodhur me pagesat e avokatëve për ndonjë trazovaç në redaksi.

– Ka nga ata që i fshehin faktet, sepse janë të bindur dhe bëjnë tifozllëk për një parti apo koalicion, dhe nuk do të shqetësojë drejtuesin.

– Ka nga ata që i fshehin faktet, sepse në të kundërt i sulmojnë, ndërkohë që ata dëshirojnë të jetojnë në paqe.

– Ka nga ata që i fshehin faktet, sepse në të kundërt nuk e ftojnë në disa sallone, ku gjithmonë takohen udhëheqës të së djathtës dhe të së majtës, kontrollues dhe të kontrolluarit, rojet dhe hajdutët, prostitutat dhe kardinalët, princërit dhe revolucionarët, fashistët dhe luftëtarët e përjetshëm, ku të gjithë janë miq të të gjithëve, dhe ku e mira është të mos bësh të pakënaqur askënd.

– Ka nga ata që i fshehin faktet, sepse ngatërrojnë baraslargësinë me barasafërsinë.

– Ka nga ata që i fshehin faktet, sepse thonë të kundërtën e linjës së gazetës.

– Ka nga ata që i fshehin faktet, sepse botuesi e dëshiron këtë.

– Ka nga ata që i fshehin faktet, sepse presin ngritjen në detyrë.

– Ka nga ata që i fshehin faktet, sepse së shpejti janë zgjedhjet.

– Ka nga ata që i fshehin faktet, sepse ata që ua tregojnë e pësojnë keq.

– Ka nga ata që i fshehin faktet, sepse disa gjëra nuk mund të thuhen.

– Ka nga ata që i fshehin faktet, sepse e kanë parë se ç’fund pati Biagi dhe Santoro.

– Ka nga ata që i fshehin faktet, sepse politikisht është e gabuar të zhytësh duart në llum, sepse rrezikon të shprishësh flokët dhe të dëmtosh ngjyrën e përftuar nga dielli, është shumë më mirë të qëndrosh politically correct.

– Ka nga ata që i fshehin faktet, sepse në të kundërt bëhesh jo i besueshëm dhe i pakontrollueshëm dhe nuk të ftojnë në televizione.

– Ka nga ata që i fshehin faktet, sepse është më e këndshme kështu: paraqitesh si antikonformist, të referohen, krijon “debatin”.

– Ka nga ata që ia fshehin faktet edhe vetes, sepse kanë frikë se mos ndryshojnë mendimin.

– Ka nga ata që i fshehin faktet për solidaritet me Giuliano Ferrarën, i cili, ngaqë është shumë inteligjent, për rrjedhojë do të ndihet i vetmuar.

– Ka nga ata që i fshehin faktet, sepse shërbimet sekrete e paguajnë për këtë qëllim.

– Ka nga ata që i fshehin faktet, edhe pse nuk e paguajnë, por ndoshta një ditë do ta paguajnë edhe atë.

– Ka nga ata që i fshehin faktet, sepse nuk ka kush t’u japë kurajë.

– Ka nga ata që i fshehin faktet, sepse asnjëri akoma nuk ua ka kërkuar e ndoshta ndonjë ditë do t’ua kërkojnë.

– Ka nga ata që i fshehin faktet, sepse në këtë mënyrë ndonjë do t’i falënderojë.

– Ka nga ata që i fshehin faktet, sepse shpesh janë të trishtueshme, të papëlqyeshme, përvëluese, dhe nuk është e nevojshme të trembim shumë njerëz që duan të qeshin dhe të zbaviten.

– Ka nga ata që i fshehin faktet, sepse në të kundërt iu ndërpresin reklamat e gazetës.

– Ka nga ata që i fshehin faktet, sepse përndryshe nuk i zgjedh (i merr) më askush.

– Ka nga ata që i fshehin faktet, sepse në këtë mënyrë do të mund të fitojnë ndonjë konsulencë me qeverinë apo RAI-in, Këshillin Bashkiak, Dhomën e Tregtisë, Shoqatën e Industrialistëve, sindikatën apo Bankën pas qoshes së rrugicës.

– Ka nga ata që i fshehin faktet, sepse u detyrohen për gjithçka këtyre personave dhe nuk dëshirojnë t’i zhgënjejnë.

– Ka nga ata që i fshehin faktet, sepse në të kundërt do të jetë më e vështirë të kthesh kambanën, kur fryn era.

– Ka nga ata që i fshehin faktet, sepse njerëzit do të kuptonin gjithçka.

– Ka nga ata që i fshehin faktet, sepse kanë lindur shërbëtorë dhe, siç thoshte Viktor Hugo, “ka njerëz që janë gati të paguajnë që të shiten”.

…Gazetarët ndahen në dy kategori. Të djathtë e të majtë? As në ëndërr. Luanë e lepuj? Jo more. Të televizionit dhe të shtypit? E kotë. Të aftë dhe analfabetë? As na shkon ndërmend. Të guximshëm apo të mekët? Ik tutje. Objektivë apo fraksionistë? As kështu. Sot dallimi i vërtetë që i ndan kategoritë, është ajo e kurrizeve të drejta dhe kurrizeve të përkulura apo të lakueshme.

Pse shumë gazetarë i zhdukin faktet? Sepse nuk e duan mjaftueshëm profesionin e tyre, d.m.th., lexuesit apo shikuesit e tyre. Sepse kur shkruajnë apo flasin, nuk mendojnë për atë që i lexon apo i dëgjon, por për të tjerët e për gjëra të tjera: për të fuqishmit e politikës e të ekonomisë, për botuesit e sotëm apo ndoshta të së nesërmes, për kolegët dhe rivalët, për rrogën e fundmuajit, për pensionin apo për ndokënd që mund t’i vërë re dhe t’i angazhojë në një profesion tjetër më me përgjegjësi. Siç shprehej Montanelli, ndryshimi midis atij që shkruan për lexuesit e tij dhe atij që shkruan për të tjerët, diktohet menjëherë: i pari flet qartë dhe e kuptojnë të gjithë, i dyti flet me kode dhe e kuptojnë vetëm ata që duhet ta kuptojnë.

Shpesh ngatërrohet kuptimi midis objektivitetit, paanësisë dhe asnjanësisë… Objektivizmi është i pamundur; secili prej nesh lind me interesa të caktuara dhe pasione të veta, rritet i edukuar me vlera të caktuara. Këndvështrimi i tij mbi botën është origjinal e që dikton mënyrën e tij të të parit të gjërave dhe rrjedhimisht të të gjykuarit.

Kur tre dëshmitarë të një ndodhie thirren në gjyq për të dëshmuar nën betim, ata tregojnë në tri mënyra të ndryshme. Kjo nuk do të thotë se dy prej tyre gënjejnë. Që të tre tregojnë të vërtetën, të vërtetën e tyre, të njëjtën ndodhi (fakt), filtruar nga tri “kultura” të ndryshme. Nga e njëjta ndodhi secili vëren ose kujton një pamje të veçantë, një prekje, një emocion që vështirë të jetë i ngjashëm me ato të vërejtura apo të mbajtura mend nga dy të tjerët.

Asnjëri nuk mund të jetë objektiv dhe i paanshëm. Vetëm robotët janë objektivë dhe të vdekurit janë të paanshëm.

Nuk mund të pretendosh që të gjithë të shikojnë gjithçka në të njëjtën mënyrë, me të njëjtën shkallë të vlerësimit apo prioritetit. As që mund të imagjinohet që një qenie e gjallë të mos marrë pjesë me pasionin e tij në tregimin e një ngjarjeje.

… Duke u kthyer te shembulli ynë i tre dëshmitarëve në gjyq, një gjë mund ose duhet që të pretendojmë: të tria versionet e së njëjtës ngjarje (fakti) të respektojnë thelbin e tij.

Është rregulli i vjetër i gazetarisë anglosaksone, e ashtuquajtura “katër w”: kush, çfarë, kur, me shtesën e domosdoshme, përse?

Si të tre dëshmitarët gjatë procesit edhe tre gazetarët, të zotë e të përkushtuar, do ta tregojnë të njëjtën ndodhi në mënyra të ndryshme në gazetat e tyre.

Ndryshimi i paraqitjes në tri këndvështrime jo të njëjta, në rast se thelbi i ngjarjes (faktit) është respektuar, nuk përbën problem; kjo është një pasurim për lexuesin dhe vetë ata, gazetarët. Ja përse është e rëndësishme që të ekzistojnë shumë gazeta dhe shumë TV, ku shumë gazetarë do të mundnin të përshkruanin të njëjtën ndodhi (fakt). Ky quhet Pluralizëm.

Ai që i përshkruan faktet me ndërgjegje nuk është llafollog, por harmonik. Pastaj kemi edhe gazetarë të pandërgjegjshëm; ky është i bindur se të mirët janë të gjithë nga kjo anë dhe të gjithë të këqijtë nga ana tjetër. Këtij i vjen për mbarë, për motive të interesit personal, për miqësi apo përkatësi partiake, për interesa biznesi apo karriere, nga servilizmi, frika apo oportunizmi, apo urdhrat e shefave, t’i japë gjithmonë të drejtë njërës palë e të dënojë tjetrën. Në këto raste, nëse gazetari i pasqyron gjërat në mënyrë të ndryshme nga kolegët e vet, nuk është se ai i shikon ashtu, por sepse Duhet ose Dëshiron t’i tregojë kështu, megjithëse e di shumë mirë se po gënjen.

Ai duhet të heshtë mbi disa fakte të pakëndshme (për veten apo për të tjerët), duke arritur deri edhe në përmbysjen e thelbit të lajmit, sepse e censurojnë ose bën autocensurën.

Në këto raste, kronikat e tij nuk tregojnë pluralizëm, por një grumbull pa formë gënjeshtrash dhe gjysmë të vërtetash. Duke bashkuar dy gjysmë të vërteta, nuk arrihet një e vërtetë. Arrihet një dopio gënjeshtër, e më keq akoma, duke bashkuar gënjeshtra të ndryshme, arrihet një gënjeshtër me fuqi të shumëfishuar.

Është shumë më e mirë mungesa totale e informacionit sesa një shumicë e informacioneve gjysmake ose false. Në rast se një njeri nuk di asgjë, do të kërkojë të dijë diçka. Por, në rast se do të dijë diçka, e kjo diçka është false, por ai nuk e di këtë, do të mendojë se e njeh të vërtetën dhe do ta regjistrojë atë (informacionin fals) në mendjen e tij, duke mos pranuar informacione që dëshmojnë të kundërtën. Të informosh për një ngjarje (fakt) atë që nuk di asgjë, është shumë më lehtë sesa të informosh atë që është njohur më parë me një lajm fals ose të manipuluar.

Së pari duhet bindur se është mashtruar (rrethanë që është e vështirë të pranohet), t’ia heqësh nga mendja lajmin fals dhe pastaj t’ia zëvendësosh me lajmin e vërtetë.

… Gazetari i mirë duhet së pari të njohë themelet e zanatit të tij për të ditur të dallojë burimet e besueshme nga ato të pabesueshme, për të verifikuar në mënyrë korrekte, për të stërvitur syrin, që të dallojë thelbin e çdo fakti e të dijë ta tregojë në mënyrën më të kuptueshme dhe të plotë.

Së fundmi, ai është njerëzor, bagazhi i tij kulturor do ta drejtojë për t’i kushtuar rëndësinë më të madhe këtij apo atij aspekti të faktit që po tregon, për të vërejtur njërën anë në vend të tjetrës, zgjedhjen e ngjarjes sipas ideve të tij, e të marrë pjesë me emocionet e tij në disa ngjarje dhe fate të personazheve.

E gjithë kjo është normale dhe pozitive, në rast se bagazhi kulturor, ideor dhe emocional është i tij dhe jo i të tjerëve.

… Nuk ka asgjë të keqe të jesh i së majtës apo i së djathtës. Përkundrazi, është normale dhe e drejtë. Secili ka idetë e tij, duhet të ketë idetë e tij, do të qe fatkeqësi po të mos i kishte. Në një vend ku mbizotërojnë dy pole, të paktën ditën e zgjedhjeve, qytetarët, duke përfshirë këtu edhe gjyqtarët, gazetarët dhe juristët e Kushtetutës, hedhin votën e tyre në favor të të majtëve, të djathtëve dhe një pakicë nuk voton për askënd.

Fatkeqësi është kur një ide politike ose fushatë elektorale ndot paanësinë e gjykatësit apo gazetarit në punën e tyre të përditshme profesionale.

Kundër gjyqtarëve të politizuar (shumë më të paktë se sa besohet), për vepra apo vendime të ndikuara ideologjikisht, ka mundësi të shumta për t’u ankuar në shkallë të tjera të gjykimit.

Kundër gazetarëve të politizuar (shumë më të shpeshtë se sa mendohet), në më të shumtën e rasteve nuk ka ilaç; nuk është e lehtë për lexuesin ta dallojë dhe akoma më e vështirë është kjo për telespektatorët.

Lexuesi ka mundësi të nderojë gazetën (megjithëse nuk është e lehtë, gazeta është një zakon). Por teleshikuesi është i dënuar të vërdalloset ndërmjet kanaleve të ndryshëm vetëm në paraqitje e ku veprojnë pothuajse vetëm gazetarë të politizuar, sepse në televizion komandon Politika.

Për rrjedhojë na mbetet të mendojmë se të gjithë gazetarët kanë një mbështetës politik dhe nga njëra anë quhet fals lajmi i papëlqyeshëm, d.m.th., si jo i vërtetë, nga ana tjetër diskreditohet dhe delegjitimohet funksioni i kontrollit të lajmit. Pranohet që Pushteti të përdorë për qëllimet e veta gazetarët miq e në të njëjtën kohë t’i neutralizojë ata që janë të lirë dhe të paanshëm, të cilët për fat akoma ekzistojnë, megjithëse gjithmonë e më të rrallë.

(Marco Travaglio është një nga përfaqësuesit më me zë të gazetarisë hetuese të ditëve tona. Është autor dhe bashkautor i shumë botimeve që kanë në qendër të tyre mafien, korrupsionin dhe gjendjen e medies së sotme italiane si “Montanelli dhe Kavalieri”, “Të paprekshmit”, “Berluskomike”, “Duart e pastra, historia e vërtetë”, “Duart e pista”, “Regjimi” etj. Për artikujt dhe librat e tij demaskues është bërë objekt sulmi për “shpifje”. Për rolin e gazetarit ai shprehet: “Gazetari ka për detyrë të tregojë faktet, mundësisht ato më flagrantet, që pushteti përpiqet t`i fshehë, pikërisht për ato që zëdhënësi ka për detyrë të heshtë ose t`i mbajë të fshehur. Zëdhënësi bashkëjeton me pushtetin, zërin e të cilët përçon. Gazetari duhet të qëndrojë larg të fuqishmeve duke i shqetësuar dhe kontrolluar vazhdimisht”. Duke folur për rolin aktiv të shtypit amerikan, gazetari italian e quan gazetarinë “qen roje i popullit kundrejt pushtetit”)

Në trend

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Lajme
Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Evropa
Akulli polar po shkrihet dhe po ndryshon rrotullimin e Tokës - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Akulli polar po shkrihet dhe po ndryshon rrotullimin e Tokës - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Botë
Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Lajme
Reagon babai i Olti Hysenit, pas deklaratës 'bombastike' të lojtarit të talentuar

Reagon babai i Olti Hysenit, pas deklaratës 'bombastike' të lojtarit të talentuar

Përfaqësuesja e Kosovës
Kalo në kategori