LAJMI I FUNDIT:

Dalja e ulët në votime, pasojë e zhgënjimit apo listës së papërditësuar?! (Video)

Dalja e ulët në votime, pasojë e zhgënjimit apo listës së papërditësuar?! (Video)

Vetëm 40 për qind e qytetarëve të Kosovës me të drejtë votë kanë dalë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 11 qershor. Këto të dhëna dalin nga rezultatet e prezantuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Sipas KQZ-së, lista e votuesve kalon shifrën prej 1.8 milionë persona me të drejtë vote.

Nga këto vota, koalicioni nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën për Kosovën, ka fituar mbi 34 për qind të votave. Lëvizja Vetëvendosje fitoi 27 për qind, kurse koalicioni ndërmjet Lidhjes Demokratike e Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativës ka fituar mbi 25 për qind të votave.

Njohësit e proceseve zgjedhore konsiderojnë se përqindja e prezantuar e daljes së votueseve nga KQZ-ja nuk është e saktë pasi që, sipas tyre, lista e votuesve nuk është pastruar me emrat e personave që nuk jetojnë më dhe nuk është përditësuar.

Njohësi i proceseve politike, Adnan Merovci, ish-kryeshef ekzekutiv i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, thotë se përqindja e daljes së votuesve e proklamuar nga KQZ-ja, nuk është reale.

“Numri 40 për qind nuk e paraqet numrin real. Është një numër pak më i madh dhe mund t’i afrohet fjala vjen 50 përqindëshit apo edhe më shumë. Megjithatë, edhe kjo shifër është e vogël në krahasim me pretendimet dhe le të themi edhe me pritjet që duhet të jenë në rastin e Kosovë”, tha Merovci.

Po ashtu, edhe Valmir Ismajli nga organizata joqeveritare “Demokraci Plus”, shprehet se dalja e votuesve në zgjedhje e proklamuar nga KQZ-ja, nuk është reale. Sipas tij, edhe nëse dalja e votuesve është e vogël, kjo për faktin se partitë politike nuk janë duke ofruar programe e projekte të duhura për qytetarët.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur po ashtu se në një numër i konsiderueshme i qytetarëve kur kanë votuar i kanë bërë të pavlefshme fletëvotimet. KQZ-ja ka treguar se janë mbi 50 mijë fletëvotime të pavlefshme. Njohësit e proceseve zgjedhore thonë se ky fakt duhet të jetë shqetësues për partitë politike dhe institucionet.

Sidoqoftë, partitë politike në Kosovë, por edhe vëzhguesit, duke lënë anash pjesëmarrjen e ulët, zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit i kanë vlerësuar të suksesshme dhe demokratike. /REL/