Dakota Johnson dhe Halle Berry u përballën me një moment të sikletshëm mode në Festivalin e 78-të të Filmit në Kanë, teksa u shfaqën në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Women In Motion” me fustane gati identike – të tejdukshëm, me jakë të rrumbullakët dhe të zbukuruar me shkëlqim.

Ndërsa Dakota zgjodhi një pamje me xixa dhe vathë të mëdhenj diamantë, Halle u shfaq me një fustan pa shpinë, të stolisur me gurë dhe rruaza, duke e bërë atë edhe më sensual.


Pavarësisht ngjashmërisë së papritur, të dyja aktoret dukeshin mbresëlënëse dhe nuk e lanë incidentin të ndikojë në atmosferën e eventit, shkruan DailyMail.

Në një bisedë publike me producenten Ro Donnelly, Dakota foli për dëshirën për të krijuar përmbajtje të re dhe autentike, duke theksuar sfidat me drejtuesit e studios që shpesh refuzojnë rrezikun dhe origjinalitetin.

Ajo tregoi se kompania e saj ndjek një qasje të rreptë ndaj sigurisë dhe respektit në vendin e punës dhe e përshkroi industrinë si shpesh zhgënjyese për artistët.

Së fundmi, Dakota është shfaqur edhe në kopertinën e revistës Elle, ku foli për jetën personale dhe përvojën e saj me marrëdhëniet, duke zbuluar se ndonëse ka pasur të dashur, kurrë nuk ka pasur një eksperiencë të zakonshme takimesh apo përdorimi të aplikacioneve.

Ajo shpreson që përmes filmit të saj të ardhshëm Materialistët të eksplorojë më tej këto dinamika, duke punuar me regjisoren Celine Song. “Të duash dikë është një akt i guximshëm dhe i bukur – por ndonjëherë edhe shumë i dhimbshëm”, tha aktorja. /Telegrafi/