LAJMI I FUNDIT:

Çrregullimi i sjelljes

Çrregullimi i sjelljes

Dr. Lidra Shabani,
Psikiatër për fëmijë dhe adoleshentë
tel: 044 187 170

Sjellja, e posaçërisht çrregullimi i saj, paraqesin preokupimin kryesor të prindërve, mësimdhënësve dhe gjithë komunitetit përgjithësisht. Çrregullimi i sjelljes te fëmijët dhe adoleshentët karakterizohet nga një model i përsëritur i sjelljeve që dhunojnë të drejtat e të tjerëve apo rregullat kryesore të shoqërisë.


Fëmijët me çrregullim të sjelljes, para se të diskutojnë me dikë, problemet i zgjedhin duke bërtitur, ofenduar, vjedhur e mashtruar. Pikërisht për këtë, pra për implikimet e shumta sociale, çrregullimi i sjelljes është, sikundër u tha, në qendër të interesimit dhe preokupimit si të prindërve, mësimdhënësve dhe përgjithësisht gjithë rrethit shoqëror.

Fëmijët me çrregullim të sjelljes paraqesin sjelljet e tyre në katër kategori dhe atë si: Agresion fizik ose kërcënime e dëmtim të njerëzve; Shkatërrim të pronës së tyre ose të të tjerëve; Vjedhje ose veprime mashtrimi;  Shkelje e shpeshtë e rregullave të përshtatshme për moshën.

Çrregullimi i sjelljes është një grup sjelljesh e qëndrueshme që evoluon me kalimin e kohës dhe që zakonisht karakterizohet me agresion dhe shkelje të të drejtave të të tjerëve. Çrregullimi i sjelljes është i lidhur me shumë çrregullime tjera psikiatrike ku përfshihen: ADHD, depresioni dhe çrregullimet e të mësuarit. Gjithashtu, është i lidhur edhe me disa faktorë psiko-social siç janë: ashpërsia prindërore ndëshkuese, mosmarrëveshjet familjare, mungesë e mbikëqyrjes përkatëse prindërore, mungesë të kompetencave sociale dhe nivel i ulët socio-ekonomik.

Kriteret diagnostikuese kërkojnë tri sjellje specifike, të cilat përfshijnë ngacmimin, kërcënimin apo frikësimin e të tjerëve dhe qëndrimi gjatë natës jashtë përkundër ndalimeve prindërore duke filluar para moshës 13 vjeçare. Gjithashtu, kriteret diagnostikuese specifikojnë se mungesat e paarsyshme nga shkolla duhet të fillojnë para moshës 13 vjeçare që të mund të konsiderohen një simptomë e çrregullimit të sjelljes. Ky çrregullim mund të diagnostikohet në një person më të vjetër se 18 vjet vetëm nëse te ky person kriteret për çrregullim antisocial të përsonalitetit nuk plotësohen.

Epidemiologjia: Thyerja e rastësishme e rregullave dhe sjellja mosbindëse ose këmbëngulëse është e shpeshtë gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës, por tek të rinjtë me çrregullim të sjelljes, sjelljet e tyre që shkelin të drejtat e të tjerëve janë të përsëritura dhe të përhapura. Prevalenca e këtij çrregullimi është nga 1 deri në 10 %. Ky çrregullim është më i shpeshtë te djemtë se te vajzat në raport 4 me 1. Mosha e fillimit të çrregullimit ndryshon për të dy gjinitë. Për vajzat mosha e fillimit është 14-16 vjeç, kurse për djemtë fillimi është para moshës 10 vjeçare.

Te vajzat sjelljet predominante janë gënjeshtra, largimi nga shtëpia, abuzimi me droga dhe prostitucioni. Te djemtë kemi vandalizmin, agresivitetin, vjedhjen apo problemet me shkollën. Çrregullimi i sjelljes ndodh me frekuencë më të lartë tek fëmijët e prindërve me çrregullim antisocial të personalitetit dhe varshmëri nga alkooli sesa në popullatën e përgjithshme. Prevalenca e çrregullimit të sjelljes dhe sjelljes antisociale është e lidhur me faktorët socioekonomik.

Etiologjia: Asnjë faktor si i vetëm nuk mund të llogaritet përgjegjës për një sjellje antisociale të fëmijëve dhe çrregullim të sjelljes. Janë disa faktorë të cilët do t’i listojmë në vijim:

Faktorët prindëror: Ashpërsia, prindërimi  ndëshkues i karakterizuar nga agresioni i rëndë fizik dhe verbal është i lidhur me zhvillimin e sjelljeve agresive të fëmijëve. Gjendjet kaotike në shtëpi janë të lidhura me çrregullimin e sjelljes dhe delikuencën. Vetë divorci është konsideruar një faktor rreziku, por armiqësia e vazhdueshme, fyerja dhe zemërimi ndërmjet prindërve të divorcuar mund të jetë  kontributi më i rëndësishëm në sjelljen e papërshtatshme. Psikopatologjia e prindërve, abuzimi i fëmijëve dhe neglizhenca, shpesh kontribojnë në çrregullimin e sjelljes. Sjellja antisociale dhe abuzimi me substanca nga ana e prindërve mund të lidhet me çrregullimin e sjelljes tek fëmijët e tyre.

Faktorët sociokulturor: Fëmijët e privuar socioekonomikisht janë në rrezik të lartë për zhvillimin e çrregullimit të sjelljes, sikundër janë edhe fëmijët dhe adoleshentët e rritur në mjedise urbane. Prindërit e papunë, mungesa e një lidhje sociale mbështetëse dhe mungesa e pjesëmarrjes pozitive në komunitet duket se parashikojnë çrregullimin e sjelljes. Ato që mund të ndikojnë në zhvillimin e çrregullimit të  sjelljes në rajonet urbane janë normat e rritura dhe prevalenca e përdorimit të substancave. Një studim i kohëve të fundit i përdorimit të alkoolit dhe shëndetit mendor te adoleshentët gjeti se përdorimi javor i alkoolit në mesin e adoleshentëve është shoqëruar me sjellje delikuente dhe sjellje agresive.

Faktorët  psikologjik: Fëmijët e rritur në kushte kaotike, gjendje neglizhente, shpesh shprehin ulje të dobët të emocioneve, përfshirë zemërim, frustracion dhe hidhërim. Modelimi i dobët i kontrollit të impulsit dhe mungesa kronike e përmbushjes së nevojave të tyre, çon në një zhvillim më të pakët të empatisë.

Gjithashtu, si shkaktarë tjerë përmenden edhe faktorët neurobiologjik, faktorët neurologjik, abuzimi i fëmijëve dhe keqtrajtimi.

Diagnoza dhe veçoritë klinike: Studimet tregojnë se për ta diagnostikuar çrregullimin e sjelljes është e rëndësishme që të intervistohen sa më shumë persona duke përfshirë të rinjtë, prindërit ose kujdestarët si dhe mësuesit. Çrregullimi i sjelljes nuk zhvillohet në mënyrë të përnjëhershme. Shumë simptoma zhvillohen me kalimin e kohës deri sa të  zhvillohet një model i qëndrueshëm që përfshinë shkeljen e të drejtave të të tjerëve.

Te fëmijët shumë të rinjë vështirë se mund plotësohen kriteret për këtë çrregullim, sepse ata nuk janë në gjendje të zhvillojnë simptomat tipike të fëmijëve më të rritur, të cilët kanë çrregullim të sjelljes. Fëmijët që plotësojnë kriteret për çrregullim të sjelljes shprehin hapur sjelljen e tyre agresive në forma të ndryshme. Sjellja agresive antisociale mund të marrë formën e ngacmimit, agresionit fizik dhe sjelljes së egër (mizore) ndaj bashkëmoshatarëve. Fëmijët mund të jenë armiqësorë, verbalisht fyes, të paturp, mospërfillës dhe negativisht ndaj të rriturve.

Gënjeshtrat e vazhdueshme, mungesat e shpeshta të pa arsyeshme nga mësimi dhe vandalizmi janë të zakonshme. Në raste të rënda, shkatërrimi, vjedhja dhe dhuna fizike janë mjaft të shpeshta. Disa adoleshent me çrregullim të  sjelljes bëjnë përpjekje të fshehin sjelljen e tyre antisociale. Mendimet vetëvrasëse, gjestet dhe aktet e tjera janë të shpeshta te fëmijët dhe adoleshentët me çrregullim të sjelljes, të cilët janë në konflikt me bashkëmoshatarët, me anëtarët e familjes ose me ligjin, dhe nuk janë në gjendje të zgjidhin problemet dhe vështirësitë e tyre.

Shumë fëmijë me probleme të sjelljes kanë vetëbesim të ultë, megjithëse ata mund të kenë një imazh dhe të duken si të fortë. Fëmijët dhe adoleshentët me çrregullim të sjelljes shpesh ndiejnë faj ose keqardhje për disa sjellje të tyre, por përpiqen të fajësojnë të tjerët.

Në intervistën vlerësuese fëmijët me çrregullim agresiv të sjelljes janë jo bashkëpunues, agresiv dhe ngacmues (provokues). Disa kanë një sharm sipërfaqësor dhe pajtueshmëri derisa ata të nxiten të flasin për sjelljet e tyre problematike. Për më tepër, ata shpesh mohojnë ndonjë problem. Nëse intervistuesi këmbëngulë, fëmija mund të përpiqet të arsyetojë sjelljen e keqe ose të bëhet dyshues dhe i zemëruar në lidhje me burimin e informatave të ekzaminuesit dhe ndoshta edhe mund të ikë nga dhoma. Shumë shpesh fëmija zemërohet me ekzaminuesin dhe shpreh fyerje për ekzaminimin me një trimëri të hapur ose tërheqje të vrazhdë.

Vlerësimi i situatave familjare shpesh zbulon disharmoni të rëndë martesore, që fillimisht mund të përqendrohet në mosmarrëveshje për menaxhimin e fëmijës. Prindërit e fëmijëve me çrregullim të sjelljes, specifikisht babai, kanë rrezik më të lartë për çrregullim antisocial të personalitetit ose abuzim të alkoolit.

Në anën tjetër, çrregullimi i sjelljes mund të shpijë në sulme dhe ngatërresa mes bandave të ndryshme, që formohen nga këta individë me këso çrregullimesh.

Trajtimi: Programet multimodale të trajtimit që përdorin të gjitha burimet në dispozicion të familjes dhe komunitetit, ka të ngjarë të sjellë rezultatet më të mira në përpjekjet  për  të  kontrolluar  sjelljet e çrregullta.  Trajtimi multimodal mund të përfshijë përdorimin intervenimin në sjellje, në të cilat mund të përfitohen shpërblime për sjellje prosociale dhe jo agresive; trajnimi për shkathtësi sociale, terapia dhe edukimi familjar dhe ndërhyrjet  farmakologjike.

Përgjithësisht, programet e trajtimit kanë qenë më të suksesshme në uljen e simptomave të dukshme të sjelljes siç është agresioni, se sa simptomat e fshehta siç janë gënjeshtra dhe vjedhja. Strategjitë e trajtimit për fëmijët e rinjë që përqendrohen në rritjen e sjelljes shoqërore dhe kompetencës sociale besohet që e ulin sjelljen agresive. Psikoterapia individuale bazuar në sjellje që shënjestron shkathtësitë problem-zgjidhëse kundrejt një shpërblimi të përshtatshëm mund të jetë e dobishme.

Porsa i takon trajtimeve farmakologjike, antipsikotikët që janë përdorur më herët kanë reduktuar sjelljet agresive te fëmijët me çrregullime të tjera psikiatrike. Antipsikotikët  atipik kanë zhvendosur nga përdorimi antipsikotikët që janë përdorur më parë dhe studimet kanë treguar se këta antipsikotik janë më efikas ne menaxhimin e agresivitetit te fëmijët dhe adoleshentët. Zakonisht çrregullimi i sjelljes bashkekziston edhe me ADHD, çrregullime të të mësuarit, çrregullimet e humorit dhe gjatë trajtimit të çrregullimit të sjelljes duhet të adresohen edhe këto çrregullime të tjera.

Rrjedha dhe prognoza:

Në përgjithësi prognoza për fëmijët me çrregullim të sjelljes është më e mirë te ata që kanë simptoma në një moshë të re dhe shfaqin numër më të madh të simptomave dhe i shprehin ato më shpesh. Ky konstatim është pjesërisht i vërtetë, për shkak se ata fëmijë me çrregullime të rënda të sjelljes duket se janë më të ndjeshëm më vonë në jetë ndaj çrregullimeve komorbide siç janë çrregullimet e disponimit dhe çrregullimet e përdorimit të substancave. Një raport i kohëve të fundit gjeti se, megjithëse sjellja e dhunshme në fëmijëri dhe kriminaliteti prindëror parashikon rrezik të lartë për burgim më vonë në jetë, diagnoza e çrregullimit të sjelljes në vetvete nuk ishte e ndërlidhur me burgim. Parashikohet një prognozë e mirë për çrregullimin e butë të sjelljes në kushtet e mungesës së psikopatologjive bashkëekzistuese dhe praninë e një funksionimi normal intelektual.

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Shëndetësi
Kalo në kategori