LAJMI I FUNDIT:

Coronavirusi “bllokon” 150 mijë marinarë në det: Na quajnë hero, e na trajtojnë si kriminelë

Coronavirusi “bllokon” 150 mijë marinarë në det: Na quajnë hero, e na trajtojnë si kriminelë

Për shkak të pandemisë së coronavirusit më shumë se 150 mijë marinarë në mbarë botën janë ngujuar dhe nuk po mund të rikthehen në shtëpitë e tyre, shkruan The Guardian.

Thomas Stapley-Bunten në fillim të këtij muaji është dashur të arrijë marrëveshje në Al-Shamal, anijen transportuese që ta transportoj gazin natyral, por për shkak të pandemisë ka mbetur i “ngujuar” në anije, transmeton Telegrafi.


“Vazhdojmë të mbushim, lundrojmë dhe të shkarkojmë mallin, por e kemi kuptuar se kemi ngecur. Nga anija nuk mund të largohesh”, thotë Thomas.

Ai është një nga 150 mijë marinarët që kanë mbetur të ngujuar në anijet e tyre, dhe janë të detyruar të punojnë pavarësisht se u kanë skaduar kontratat apo marrëveshjet me kompanitë e caktuara. Shumica prej tyre kanë familje, por nuk e dinë se kur do t’i shohin.

Me anije transportuese porositet dhe transportohet rreth 90 për qind e mallrave nëpër botë, kurse rreth 1.2 milion marinarë shpesh punojnë në kushte të rrezikshme, shtatë ditë në javë.

Britania e Madhe, Spanja dhe Holanda i ka shpallur punëtorët kyç në kohën e pandemisë së coronavirusit, por ata nuk i kanë edhe aq mirë punët – punojnë më shumë se që parashihet në marrëveshje, madje detyrohen të punojnë nën presion të punës dhe stresit.

Federata Ndërkombëtare e Punëtorëve të Transportit (ITF), ka pranuar një sërë raportesh të anëtarëve të ekuipazheve të cilët janë në kushte kërcënuese për jetën, dhe që u është pamundësuar ndihma e parë nëpër porte detare, edhe pse sëmundjet e tyre nuk kanë lidhje me coronavirus.

Sindikatat dhe organizatat detare paralajmërojnë një krizë shëndetësore dhe të sigurisë së tyre, duke tentuar të avokojnë tek qeveritë për t’i lejuar anëtarët e ekuipazheve të kthehen nëpër shtëpitë e tyre, por deri më tani kanë pasur shumë pak sukses në këtë drejtim.

Komisioni Evropian ka nxjerrë udhëzues që do të duhej t’ju siguronte lëvizje të lirë marinarëve dhe kompanive të transportit, duke propozuar disa porte detare përfshirë atë në Singapor, Roterdam, Gjibraltar dhe Hong Kong, ku ekuipazhet do të mund të ndërroheshin në mënyrë të sigurt.

Megjithatë, sindikatat kanë bërë të ditur se qeveritë e vendeve ku ndodhen këto porte detare deri më tani nuk u kanë kthyer ndonjë përgjigje.

“Qeveritë po munden t’i marrin nga jashtë shtetasit e tyre dhe t’i kthejnë në shtëpi sikurse edhe pasagjerët nëpër anije, por jo edhe 150 mijë marinarët që vazhdojnë të jenë në det dhe nuk po mund të kthehen nëpër shtëpitë e tyre”, ka deklaruar avokati i përgjithshëm i sindikatës së marinarëve Nautilus International.

Kees Wiersum, kapiten e anijes transportuese holandeze që aktualisht gjendet në Madagaskar, thotë se e brengosë lodhja dhe depresioni i 21 marinarëve që janë në anijen e tij, kryesisht nga Filipinet. Edhe nëse disa prej tyre arrijnë të kthehen në Filipine, do të ballafaqohen me probleme shtesë – siç është karantinimi në Manila.

“Ministri ynë i Transportit na quan heronj, por akoma na trajtojnë si kriminelë. Nuk mund të zbresim nga anija, madje as për ndihmë mjekësore. Në Holandë janë kthyer të gjithë ata që kishin shkuar për pushime, por neve na kanë harruar”, thotë 61-vjeçari Wiersum i cili 43 vite i kaloi në det.

Një nga problemet më të mëdha është që marinarët nëpër porte nuk kanë të drejta kur bëhet fjalë për kujdesin mjekësor. Fabricio Barcelona nga ITF-ja, thotë se brenda ditës i pranon nga 10 deri në 15 letra elektronike që kanë të bëjnë kryesisht me probleme shëndetësore.

Këtë javë, organizata ndërkombëtare detare paralajmëroi 174 shtetet anëtarë që zinxhiri global i shpërndarjes do të ndërpritet nëse ekuipazhet nëpër anije nuk zëvendësohen.

Guy Platten, Sekretar i Përgjithshëm i Odës Ndërkombëtare të Transportit, e ka përshkruar situatën në të cilën janë marinarët, si “bombë me orë”. /Telegrafi/