LAJMI I FUNDIT:

Çmimi i parë në Klinë, për Ansamblin e Këngëve dhe Valleve nga Drenasi

Çmimi i parë në Klinë, për Ansamblin e Këngëve dhe Valleve nga Drenasi

Në Klinë përfundoi Festivali Folklorik Mbarëkombëtar “I këndojmë Lirisë”, që u mbajt me 6, 7 dhe 8 qershor. Çmimin kryesor “Mujë Krasniqi”, të edicionit të 18-të të këtij festivali, e ka fituar Ansambli i Këngëve dhe i Valleve “Shotë Galica” nga Drenasi. Këtij ansambli, çmimin ua dorëzuan, Rifat Jashari nga familja Jasharaj dhe Halil Krasniqi, babai i Komandant Mujë Krasniqit.

Shaqir Hasi, udhëheqës i këtij ansambli thotë se ndjehet krenar që e kanë fituar çmimin.


“Diçka të veçantë kemi sjellë ne ketë festival, duke bërë përpunim të këngëve të teksteve për Mujë Krasniqin të marra nga baladat kushtuar Komandant Kapuçit qe janë të pa përsëritura deri më tash. Vetëm kënga ‘Herët në mëngjes’ është e papërpunuar”, shprehet Hasi.

Ndërkaq, vendin e dytë juria kishte vendosur që të ja ndajë AKV “Dëshmorët e Kombit” nga Kastrioti, të cilëve çmimin ua dorëzuan kryetari Komunës së Klinës, Zenun Elezaj dhe nënkryetari Besim Hoti, kurse çmimin e tretë e ka marrë Ansambli Polifonik “Longjeria” nga Gjirokastra. Çmimin e publikut e fitoi Shoqëria Kulturore Artistike “Malsori” e Gjonajt të Hasit.

Juria, ishte në këtë përbërje: Minire Fetahu, redaktore e muzikës në RTK, Burim Krasniqi, kompozitor-producent, Mehmet Xhemajli, magjistër i lëndës muzikore të harmonisë dhe Gjon Frroku, kantautor. Nga 15 çmime, sa ndahen në këtë festival, juria ndau edhe çmimin e veteranit të festivalit, grupit më të kompletuar, interpretuesin e vallen më të mirë, instrumentistin më të mirë, valltarin e ansamblin më të kompletuar, si dhe çmime të tjera. /Telegrafi/