“Këtu vritesh veç pse je gru”, “Gra revoltohuni”, “Vrasja nuk ka arsyetim” – protesta në Prishtinë kundër vrasjes së grave

Dy rastet e fundit të vrasjes së grave nga bashkëshortët, njëra në Malishevë dhe tjetra në Prizren e kanë rikthyer në vëmendje shqetësimin për sigurinë e grave dhe përhapjen e dhunës në familje në Kosovë.
Në Prizren, një grua e moshës 80 vjeçare u mbyt nga bashkëshorti, duke ia goditur kokën për toke, gjersa i dyshuari ka tentuar edhe ta fshehë ngjarjen, ndërsa një grua në Malishevë, që ishte shtatzënë në javën e 34-të të shtatzënisë u vra nga bashkëshorti.
Këto raste vijnë në një kohë kur në Kosovë, në raportin 24-orësh raportohen vazhdimisht raste të dhunës ndaj grave. /Telegrafi/
28/08/2026 13:17 - Protesta kundër vrasjes së grave, të pranishëm edhe familjarë të gruas shtatzënë që u vra në Malishevë

Në protestën kundër vrasjes së grave në Prishtinë të pranishëm janë edhe familjarë të gruas shtatzënë që u vra para disa dite në Malishevë.
Protestuesit po mbajnë pankarta “Këtu vritesh veç pse je gru”, “Gra revoltohuni”, “Vrasja nuk ka arsyetim”, "S'ka qetësi pa sigurinë e grave".
28/08/2026 13:13 - Në protestë edhe Vasfije Krasniqi

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist dhe qytetarë tjerë po protestojnë në Prishtinë kundër vrasjes së grave.
Qytetarët kanë marshuar nga sheshi “Zahir Pajazit”, deri te ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.
E pranishme në protestën kundër vrasjes së grave është edhe Vasfije Krasniqi.
28/08/2026 13:03- Protestë në Prishtinë kundër vrasjes së grave

Sot Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist po mban protestën në Prishtinë, duke theksuar se çështja e vrasjes e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare.
“Këtu vritesh veç pse je gru”, “Gra revoltohuni”, “Vrasja nuk ka arsyetim”, "S'ka qetësi pa sigurinë e grave", ishin ndër pankaratat që po mbahen në protestë.


























