LAJMI I FUNDIT:

Çmimi botëror i naftës arrin nivelin më të lartë në vitin 2019

Çmimi botëror i naftës arrin nivelin më të lartë në vitin 2019

Çmimet e naftës së papërpunuar kanë arritur të martën nivelin më të lartë të vitit 2019, gjë e cila në masë të madhe vjen nga mungesat e naftës nga Venezuela, Irani dhe vendet e Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës, si dhe nga ulja e prodhimit të shistit argjilor në SHBA.

Nafta e papërpunuar Brent ka arritur çmimin prej 69.76 dollarë për fuçi, ndërsa marka amerikane WTI shitet me 62 dollarë.


Sanksionet e SHBA-së mbi Iranin dhe Venezuelën kanë prekur ndjeshëm nivelet e prodhimit të naftës, pasi sipas vlerësimeve që ka bërë Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë prodhimi iranian do të bie në 2.65 milionë fuçi në ditë nga 3.85 milionë sa ishte vitin e kaluar.

Edhe prodhimi i naftës në Venezuelë parashikohet të ulet me 750 mijë fuçi në ditë, më saktësisht 1.31 milionë fuçi në ditë.

Ngadalësimi i ritmit në industrinë e shistit argjilor në SHBA, është njëri nga shkaktarët për rritjen e çmimeve të naftës. Të dhënat e EIA-së flasin për një rënie me 90 mijë fuçi në ditë të prodhimit të naftës nga shisti argjilor.

OPEC dhe disa vende aleate joanëtare, gjatë takimit të OPEC-ut në Vjenë që u mbajt në dhjetor, vendosën të reduktojnë prodhimin ditor të naftës për të balancuar tregun botëror të naftës. /Telegrafi/