LAJMI I FUNDIT:

Çmimet e naftës me rënie

Çmimet e naftës me rënie

Çmimet e naftës janë kthyer në rënie në sesionin e fundit të kësaj jave, për shkak të pritshmërive se, vendet e tjera të OPEC do të plotësojnë mungesën e naftës në treg, të krijuar nga Venezuela. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 76.5 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 65.5 dollarë për fuçi.

Gjatë tregtisë aziatike, ndërkohë, çmimet ishin në rritje për shkak të rënies së eksporteve nga Venezuela dhe problemeve në ngarkimin e naftës në tankerat që gjenden në portin kryesor të vendit. Rreth 24 milionë fuçi presin për tu dërguar te konsumatorët. Gjatë këtij viti, ndërkohë, është vënë re një zgjerim i diferencës mes naftës bruto amerikane dhe naftës brent të Londrës, në mbi 11 dollarë, niveli më i lartë që nga viti 2015.


Sipas analistëve, ky zgjerim i diferencës vjen për shkak të rritjes së shpejtë të prodhimit në SHBA, në njërën anë, dhe pritshmërive për rënien e eksporteve iraniane drejt Europës, në anën tjetër.

Nafta Brent e Londrës është mbështetur edhe nga ulja e prodhimit nga OPEC dhe Rusia, pasi një pjesë e mirë e naftës së këtyre vendeve shkon drejt kontinentit të vjetër. /Telegrafi/