LAJMI I FUNDIT:

Çmimet e naftës i janë rikthyer fitimeve

Çmimet e naftës i janë rikthyer fitimeve

Çmimet e naftës i janë rikthyer fitimeve në sesionin e së martës, duke u tregtuar pranë nivelit më të lartë në 5 muajt e fundit.

Të dhënat e publikuara sugjerojnë se, prodhuesit kryesorë në Lindjen e Mesme vazhduan të ulin prodhimin, në linjë me angazhimet e OPEC për të zvogëluar mbifurnizimin e tregut. Gjithashtu, edhe dollari i dobët ka mbështetur çmimet, jo vetëm të naftës por të të gjitha lëndëve të para që tregtohen në monedhën e gjelbër.

Nafta Brent e Londrës po tregtohet mbi 55.7 dollarë për fuçi, niveli më i lartë në 5 muajt e fundit. Edhe nafta Bruto amerikane është ngjitur sërish mbi 50 dollarë për fuçi.

Optimizmi për çmimet e naftës filloi që javën e kaluar, kur Organizata Ndërkombëtare e Energjisë, përmirësoi parashikimin për kërkesën gjatë këtij viti, ndërsa OPEC parashikon që bota do të ketë më shumë nevojë për naftë gjatë vitit të ardhshëm.

Ndërsa në sesionit e sotëm, çmimet morën një mbështetje nga të dhënat e Irakut, prodhuesi i dytë më i madh i OPEC, që raporti një ulje të prodhimit me 260 mijë fuçi në ditë. Gjithsesi, rritja e çmimeve mund të inkurajojë prodhuesit e naftës argjilore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të rrisin prodhimin.

Një ditë më parë, qeveria amerikane deklaroi se parashikon që prodhimi i naftës argjilore në rritet për të 10-in muaj me radhë gjatë tetorit. /Telegrafi/