'Çmenduri' me tetë gola në "Parkun e Princave" - Vitinha me het-trik e ndihmo PSG-në drejt fitores ndaj Tottenham

PSG dhe Tottenham dhuruan një ndeshje spektakolare me plot gola në "Parkun e Princave", me përmbysje dhe emocione, në një sfidë dramatike të javës së pestë të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve.
Tottenham e nisi më mirë takimin dhe kaloi në epërsi në minutën e 35-të kur Richarlison shënoi me kokë pas asistimit të Kolo Muani.
PSG reagoi në fund të pjesës së parë dhe barazoi në 1-1 në minutën e 45-të, me një goditje të bukur të Vitinhas që u përplas në shtyllë dhe u fut në rrjetë.

Pjesa e dytë nisi furishëm. Tottenham riktheu epërsinë me Kolo Muanin (50'), por PSG u përgjigj menjëherë: fillimisht Vitinha shënoi një gol fantastik për 2-2 (53'), e më pas Fabian Ruiz përmbysi rezultatin me një supergoditje nga distanca (59') për 3-2.
Pacho shtoi të katërtin pas një topi të devijuar në zonë (65') për 4-2, por Tottenham u rikthye në lojë falë një gabimi në mbrojtjen parisiene, që i lejoi Kolo Muanit të shënonte për 4-3 në minutën e 72-të.

Në minutën e 75-të, Romero preku topin me dorë në zonë dhe PSG fitoi penallti.
Vitinha ishte i saktë nga pika e bardhë, duke shënuar golin e pestë të PSG-së (76’) dhe duke kompletuar het-trikun, në fitoren e vulosur me rezultatin 5-3 në një ndeshje të çmendur.
PSG merr tre pikë të arta dhe tani ka 12 pikë, ndërsa Tottenham me 8 pikë mban një vend në mesin e renditjes. /Telegrafi/



















































