LAJMI I FUNDIT:

“Çka po don”, “Pse po bërtet”, “E ke humb kredibilitetin” – përplasje mes anëtarëve të LVV-së dhe Valdete Dakës në mbledhjen e KQZ-së

“Çka po don”, “Pse po bërtet”, “E ke humb kredibilitetin” – përplasje mes anëtarëve të LVV-së dhe Valdete Dakës në mbledhjen e KQZ-së

Mbledhja e sotme e KQZ-së, sërish nuk kaloi pa debate të ashpra mes anëtarëve të LVV-së me kryetaren e këtij institucioni Valdete Daka.

E gjithë kjo ndodhi në momentin kur po diskutohej për formimin e këshillave, ku në këshillin për marrëdhënie me jashtë, kryesuese do të jetë vetë Daka.


Me këtë gjë nuk janë pajtuar anëtarët e LVV-së. Sami Kurteshi ka thënë se është kundër që Daka të udhëheq me këtë këshill.

“Jam kundër që ju të jeni pjesë e këtij këshilli. Ju edhe në të kaluarën nuk na keni dhënë asnjë informacion për atë se cfarë keni bërë. Unë them se nga kjo përbërje duhet të hiqe Valdete Daka”, ka thënë Kurteshi.

Daka i është përgjigjur Kurteshit duke i thënë se “kjo është dëshira jote”. E anëtari tjetër i LVV-së, Alim Rama ka ndërhyrë duke i thënë Dakës se ka humbur kredibilitetin.

Daka e ka pyetur anëtarin Alim Rama se çfarë po don. “Çka po don Alim, a bon me ditë çka po don?”, ka thënë Daka.

Rama i është përgjigjur Dakës, “Ti e ke humb kredibilitetin me qenë anëtare e KQZ-së e lëre më kryesuese”, ka thënë Rama, shkruan Telegrafi.

Më pas Daka ia ka kthyer duke i thënë se nuk është çështje e tij. “A e kam humb unë kredibilitetin a jo nuk është çështje e jotja”, i ka thënë Daka.

“Pse po bërtet Alim”, ka vazhduar ajo.

Pas këtij diskutimi ka ndërhyrë sërish Sami Kurteshi i cila ka vazhduar përplasjen me Dakën duke i thënë se ka nënshkruar letra që s’i ka miratuar KQZ-ja.

“Zonja kryesuese, ju po ndërhyni, ju nuk keni të drejt të komentoni diskutimet e anëtarëve të KQZ-së, keni të drejt me kërku, a e dëgjuat, vota për kundër dhe kaq. Arsyetime të tilla të kundërligjshme keni bërë vazhdimisht, keni nënshkruar letra që nuk i ka miratuar KQZ-ja, pikërisht duke e keqpërdorur pozitën e monopolit njëfarë mënyre të kryesueses. Akuza irituese është mos bërtit, po ju nuk po e lëni me fol”, ka thënë Kurteshi.

E Daka sërish i është përgjigjur se “nëse keni problem me mu ajo është çështje e juaja”.  Përplasja ka vazhduar edhe më tej, ku Daka i është drejtuar Kurteshit se e kanë personale dhe se ju pengon ekzistenca e saj.

“Ju e keni personale sepse ju pengon një person që nuk mendon si ju. Ju e keni probleme, ju e keni problem se ekzistoj unë. Nuk shkon më në këtë mënyrë valla. Kjo është injorancë totale e jotja”, u shpreh Daka.

E Kurteshi iu drejtua Dakës se ka falsifikuar dokumente zyrtare dhe se për këtë shkohet në burg.

“Ju keni tregu preferenca politike, keni falsifikuar dokumente zyrtare dhe për këtë shkohet në burg. Ju po doni me qit në baza personale por kjo nuk është ashtu. Nuk shkon më në të njëjtën mënyrë”, tha Daka, duke i thënë se ka monopolizuar këtë vend.

“O veç fol sa dush, veç vazhdo. O Sami unë pe shoh tendencën tënde”, i tha Daka, Kurteshit. /Telegrafi/