ASK: Rritet numri i turistëve në Kosovë, mbi 99 mijë vizitorë në hotele gjatë korrikut

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar statistikat e hotelerisë për muajin korrik 2026, duke evidentuar rritje të numrit të vizitorëve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas ASK-së, gjatë korrikut 2026 hotelet në Kosovë kanë pritur gjithsej 99,053 vizitorë, prej të cilëve 32,098 ishin vendorë, ndërsa 66,954 vizitorë të huaj.
Krahasuar me korrikun e vitit 2025, kur ishin regjistruar 77,481 vizitorë, numri i përgjithshëm i vizitorëve në hotele është rritur për 27.8 për qind.
Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar gjithsej 217,798 net-qëndrime. Prej tyre, 149,509 ose 68.6 për qind i takojnë vizitorëve të huaj, ndërsa 68,289 net-qëndrime, apo 31.3 për qind, janë realizuar nga vizitorët vendorë.

Edhe numri i vizitorëve të huaj ka shënuar rritje. Sipas ASK-së, në korrik 2026 pati 31.7 për qind më shumë vizitorë të huaj krahasuar me korrikun e vitit 2025.
Në mesin e shtetasve të huaj që vizituan Kosovën gjatë korrikut, numri më i madh ishte nga Shqipëria, Gjermania, Zvicra dhe Turqia.

Të dhënat e ASK-së tregojnë kështu një rritje të ndjeshme të aktivitetit hotelier dhe të numrit të vizitorëve në Kosovë gjatë muajit korrik. /Telegrafi/



































