Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas një deklarate të bërë nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili nga Londra deklaroi se se atmosfera aktuale është e tensionuar dhe e mbushur me ndjenja negative, të cilat sipas tij, po e vështirësojnë ndërtimin e një marrëveshjeje për formimin e Qeverisë së re.

Sipas Çitakut "Kjo kastë drejtuesish tashmë e ka shndërruar në normë keqpërdorimin e misioneve diplomatike të Kosovës për nevoja partiake të Lëvizjes Vetëvendosje".


"Në kulmin e fushatës zgjedhore, në një kohë kur vendi nuk ka qeveri legjitime, ky është abuzim i skajshëm me institucionet e shtetit. Rasti i fundit në Londër e shfaq më qartë se kurrë mendësinë e një partie që e sheh shtetin si pronë të vetën. E për më tepër, njeriu që nuk la askënd pa fyer e përbuzur, pa asnjë kod, sot paska dalë të thotë se na qenka helmuar atmosfera, se paska xhelozi e inate, andaj po e ka vështirë ta bëjë qeverinë. Jo A.K.Ti nuk kërkon marrëveshje, as kompromis", ka pohuar ajo.

Tutje, ajo ka shkruar se Kurti kërkon nënshtrim, duke shtuar se "ky popull nuk është e nuk do të jetë kurrë popull që nënshtrohet".

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një deklarate nga Londra, ka bërë të ditur se përpjekjet për formimin e qeverisë së re po intensifikohen, por afati i fundit për një marrëveshje mbetet kjo fundjavë. /Telegrafi/