LAJMI I FUNDIT:

Cilat janë arsyet që po i çojnë kosovarët deri të vrasjet

Cilat janë arsyet që po i çojnë kosovarët deri të vrasjet

Së fundmi një person u vra në Kaçanik, derisa vëllai i tij është plagosur rëndë. Ata sapo kishin ardhur në Kosovë për pushime.

Vrasjet po ndodhin shpesh në Kosovë, e shkaqet duket se janë të shumta.


Mbyllja gjatë pandemisë po konsiderohet si një ndër shkaktarët e rritjes së numrit të vrasjeve në Kosovë.

Një hipotezë të tillë e mbështet psikologu Yll Avdiaj.

“Jo domosdoshmërisht që pandemia ka ndikuar që njerëzit të vriten, por që është prishur qetësia e asaj përditshmërie, apo balancit jetësorë që e kanë pasur më herët”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Yll Avdiaj.

Ai thotë se edhe videot e ndryshme në rrjete sociale mund të jenë indikatorë që dërgojnë njerëzit drejt një akti të tillë.

“Janë modele të ndryshme që të rinjtë tashmë e kanë mundësinë të shohin përmes qasjes në rrjete sociale, apo akte dhune që i shohin në filma apo vende tjera”.

Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, thotë se ka dyshime për dhënien e lejeve që po jepen për armët.

“Ka dyshime edhe në dhënien e lejeve, përkatësisht vlerësimin e  kandidatit që potencialisht aplikon për të pasur një armë. Ne duhet të marrim shumë parasysh çështjen e rrezikimit të përgjithshëm dhe gjendjen e eventuale të kandidatit potencial që kërkon të ketë leje për posedimin e armës. Nuk ka një verifikim të mirëfilltë të kësaj pune”, deklaroi Elezi.

Gjatë këtij viti, deri më tani në Kosovë janë shënuar 27 raste të vrasjeve në Kosovë./Telegrafi/