LAJMI I FUNDIT:

Cikaqi: S’ka buxhet për subvencionim më të madh të fermerëve

Cikaqi: S’ka buxhet për subvencionim më të madh të fermerëve

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) këtë vit do të mbështesë me 23.5 milionë euro subvencione për fermerët, ku mbështesin 22 nënsektorë të ndryshëm.

Kjo nuk është e gjitha. Kjo ministri mbështet fermerët përmes dy programeve, atë të subvencioneve dhe granteve, por gama e sektorëve që mbështetet është e madhe dhe kjo bënë që shumat e ndara për fermerët, të jenë vetëm 150 euro për hektarë.


Isuf Cikaqi, drejtor i Departamentit të Politikave Bujqësore në MBPZHR, ka thënë se kultura e grurit si kulturë strategjike mbështetet qysh nga viti 2009, teksa ka bërë të ditur se fermerët subvencionohem me 150 euro për hektarë.

“MBPZhR i ka dy programe mbështetëse për fermer: programin e pagesave direkte – subvencioneve dhe programin e projekteve të zhvillimit rural ose granteve. Kultura e grurit mbështetet përmes pagesave direkte ose subvencioneve, është kultura e parë në vitin 2009 që ka filluar të subvencionohet, pasi që është kulturë strategjike dhe tani aktualisht neve mbështesim me 150 euro për hektarë të gjithë ata fermerë që kultivojnë grurë dhe rrjedhimisht të gjithë ata që i plotësojnë dokumentacionin e nevojshëm dhe kriteret e parapara me program”, thotë ai për KosovaPress.

E vlera prej 150 euro për hektarë, Cikaqi thotë se do të dëshironin të ishte më e lartë.

“Dëshira jonë do të ishte që të subvencionojmë me vlera më të mëdha, por këtë në radhë të parë na e dikton buxheti që ndahet. Ralisht, nuk është buxhet i vogël në krahasim me vitet e mëparshme, gjithsej janë të ndara 47 milionë për grante dhe subvencione, që i bie 50 me 50, mirëpo përmes kësaj sasie të mjeteve, mbështeten 22 nënsektor përmes programit të pagesave direkte”, shprehet ai.

Derisa fermerët vazhdimisht lobojnë për subvencione më të mëdha për ta, Cikaqi thotë se janë munduar që përmes kostos së prodhimit dhe rëndësisë që ka kultura të jepet edhe mbështetja për to.

Teksa është shprehur optimist se vlera e ndihmës së marrë nga fermerët përmes pagesave direkte do të rritet.

“Ne jemi munduar që përmes kostos të prodhimit, dhe me rëndësinë që e ka kultura, pastaj të bëhet mbështetja e asaj kulture dhe aktualisht kaq është mundësia që të mbështetet kultura e grurit dhe në përgjithësi drithërat mbështeten me 150 euro për ha. Varësisht prej buxhetit ne do të bëjmë edhe rritjen e tyre. Shpresojmë që nga viti në vit, sikurse ka ndodhur deri më tani, edhe vitin e ardhëm të kemi buxhet më shumë dhe atëherë mundësia për me e rritë këtë mbështetje do të jetë më e madhe”, thotë ai. /Telegrafi/