Sulmuesi i Chelseat, Nicolas Jackson, do të largohet nga klubi gjatë kësaj vere, sipas raportimeve nga David Ornstein i The Athletic.

Chelsea nuk është në presion për ta shitur 24-vjeçarin, por klubi ka vendosur të hapë derën për largimin e tij, për shkak të ndryshimeve në repartin ofensivë.


Ardhja e Liam Delap dhe Joao Pedro ka rritur konkurrencën në sulm dhe e ka vendosur Jacksonin jashtë planeve si titullar për sezonin e ardhshëm.

Jackson, i cili ka shënuar 30 gola në 81 paraqitje për Chelsean, dëshiron një rol kryesor në një klub tjetër, gjë që ka përshpejtuar vendimin për largimin e tij.

Blutë janë të gatshëm të pranojnë ofertën e duhur dhe kanë nisur kontaktet me disa klube të interesuara në Angli dhe në Evropë.

Disa skuadra e konsiderojnë Jacksonin si zëvendësues të objektivëve të tyre kryesorë, ndërsa të tjera kërkojnë ta shtojnë si përforcim shtesë për sulmin.

Largimi i tij është tashmë i vendosur dhe pritet të konkretizohet brenda ditëve në vijim, me negociatat që janë në fazë të avancuar. /Telegrafi/

telegrafi sport app