LAJMI I FUNDIT:

Çfarë do të ndodhë nëse “Brexit” bëhet realitet? Ja 5 modelet, alternativa të të qenit në BE

Çfarë do të ndodhë nëse “Brexit” bëhet realitet? Ja 5 modelet, alternativa të të qenit në BE

Britania është duke votuar për të vendosur mbi të ardhmen e saj, konkretisht për qëndrimin në Bashkimin Evropian apo për shkëputjen prej saj. Kujtojmë se ishte pikërisht kryeministri konservator Edward Heath, ai që bëri të mundur futjen e mbretërisë ishullore në BE në janar të vitit 1973, pasi Presidenti de Gaulle i Francës kishte bllokuar dy herë anëtarësimin e saj gjatë viteve ’60.

Por çfarë do të zgjedhin britanikët? Nëse qëndrojnë në BE, Britania do të ketë tashmë një “status special” të fituar vetëm pak kohë më parë, pas presionit që i bëri unionit kryeministri aktual, David Cameron, i cili fillimisht kërcënoi me dalje dhe, pas arritjes së asaj që dëshironte me ndryshimin e një sërë kushtesh në traktatin evropian, tashmë ka bërë fushatë që t’i nxisë britanikët të qëndrojnë në unionin evropian.


E nëse dalin nga BE-ja, për Britaninë ka 5 alternativa të mundshme të të konsideruarit “pjesë e BE”-së, por ndoshta jo anëtar me të drejta të plota në union. Më poshtë kemi një analizë të këtyre modeleve.

1. Modeli norvegjez

Paguan 263 milionë funte në vit për të qenë pjesë e zonës ekonomike evropiane (EEA).

Fiton qasje në pjesën më të madhe të tregut të përbashkët.

Ka përfaqësues në institucionet e BE-së, por nuk voton për bllokun.

Nuk preket nga rregullat e BE-së në fusha si bujqësia, drejtësia dhe çështjet e brendshme.

I kërkohet të zbatojë rregullat e BE-së përsa i takon tregut të brendshëm.

2. Modeli zviceran

Nuk është anëtare e BE-së apo e EEA-së.

Ka më shumë se 100 marrëveshje të veçanta dypalëshe me BE-në në një sërë sektorësh.

Detyrohet të zbatojë rregullat e BE-së në zonat e tregut të Bashkimit Evropian ku ka qasje.

Duhet të paguajë në buxhetin e BE-së dhe nuk voton mbi rregullat e bllokut.

3. Një union doganor

Mbretëria e Bashkuar mund të bëhet pjesë e një bashkimi doganor me BE-në, ashtu si Turqia.

Do të ketë qasje në tregun e lirë të mallrave industrialë, por jo shërbime financiare.

Përjashtohet nga ndërveprimi i organizmave dhe ligjet e punësimit.

Duhet të zbatojë rregullat në tregjet e qasshme.

Nuk ka influencë mbi rregullat e BE-së që duhen ndjekur.

4. Marrëveshje e tregtisë së lirë

Britania mund të negociojë një marrëveshje të tregtisë së lirë me BE-në, të ngjashme me atë të Islandës.

Do të kishte një status jovotues në disa agjenci dhe programe të BE-së.

Mund të vazhdojë të jetë pjesë e zonës së lëvizjes së lirë të “Schengen”-it, transmeton topchannel.

5. Shkëputja e pastër

Britania mund të tentojë një largim të “pastër” nga BE-ja.

Mund të përpiqet të negociojë marrëdhënie tregtare përmes Organizatës Botërore të Tregtisë.

Kjo do të thotë t’ia nisësh nga e para (ose nga hiçi).

Britania mund të përballet me një sërë tarifash të reja.