LAJMI I FUNDIT:

Çfarë pritet nga Darka e Brukselit, flasin analistët

Çfarë pritet nga Darka e Brukselit, flasin analistët

Ministri i Jashtëm i BE-së Josep Borrell tha se ka organizuar një darkë për gjashtë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që të rinovojë traditën e bisedimeve të rregullta “mbi rajonin me rajonin” dhe për të diskutuar hapur situatën dhe sfidat e Ballkanit Perëndimor.

Analistët në “Debat Plus” kanë dhënë mendimet e tyre se çfarë pritet të ndodh në këtë darkë.


Vehbi Kajtazi thotë se Serbia në vend të Vuçiqit në këtë darkë e ka dërguar kryeministren Bërnabiq, e që sipas tij kjo do të ndikojë në atmosferën e takimit.

Megjithatë ai thotë se Kurti në këtë takim do të mbajë fjalim të fortë dhe do të flaës për krimet që ka kryer Serbia në Kosovë.

“Kurti do të mbajë fjalim të fortë ashtu siç mbajti pak ditë më parë presidentja Vjosa Osmani”, deklaroi Kajtazi.

Analisti Imer Mushkolaj thotë se Bashkimi Evropian nuk e ka mbajtur të vetmin premtim ndaj Kosovës që lidhet me liberalizimin e vizave.

“Demarkacioni neve si shtet na ka kushtuar shumë. Demarkacioni neve na ka përça si shoqëri”, thotë analisti, përcjell Telegrafi.

Mushkolaj thotë se Kosova nuk ka asnjë mjet për ta kushtezuar Bashkimin Evropian për dallim nga vendet tjera që kanë mundësi të ndryshme.

Ish-deputeti Visar Ymeri thotë se ashtu si në të kaluarën edhe kësaj radhe dinamika e dialogut nuk varet nga Kosova.

“Por për dallim nga e kaluara kur liderët e Kosovës kanë mundur të gjejnë aleatë jashtë sa i përket dialogut, tash BE dhe SHBA janë në një vijë. Në të kaluarën shembull presidenti është bërë me SHBA-në apo Administratën e Trump për ndryshim të kufijve edhe pse BE ishte kundër. Tash kjo gjë nuk mund të ndodh”.

Ymeri ka thënë se nëse duam njohje nga Serbia duhet të shkojmë në dialog.

Donika Emini ka thënë se të gjitha shtetet e Ballkanit janë të pakënaqura me Bashkimin Evropian.

“Më e pakënaqur është Maqedonia e cila është detyruar ta ndryshojë Kushtetutën dhe përsëri nuk ka lëvizje nga Bashkimi Evropian për integrimin e saj pasi po e bllokon Bullgaria”.

Analistja megjithatë thotë se Kosova nuk mund të kushtëzojë Bashkimin Evropian pasi sipas saj BE është donator më i madh i Kosovës./Telegrafi/