LAJMI I FUNDIT:

Çfarë mund të rrisë rrezikun e shfaqjes së autizmit te bebja gjatë shtatzënisë

Çfarë mund të rrisë rrezikun e shfaqjes së autizmit te bebja gjatë shtatzënisë

Kushtojini kujdes dy gjërave dhe shmangni ato

Edhe pse rolin më të madh e ka gjenetika, kohë më parë një hulumtim ka treguar që ndryshimet të cilat ndodhin gjatë shtatzënisë, madje edhe gjatë lindjes, mund të rrisin apo të ulin rrezikun e autizmit.

A mund të parandalojë autizmin rritja e marrjes së vitaminave prenatale?

Ekspertët kanë konstatuar që fëmijët e lindur nga nënat me mungesë hekuri kanë pesë herë më shumë probabilitet që të zhvillojnë autizmin, transmeton Telegrafi.

Rreziku rritet kur mosha e nënës është 35 vjeç dhe vuan nga obeziteti, shtypja e lartë e gjakut dhe diabeti. Hekuri është i rëndësishëm për zhvillimin e trurit të fetusit.

Marrja e vitaminave prenatale tre muaj para ngjizjes dhe së paku gjatë muajit të parë të shtatzënisë ka përgjysmuar rrezikun nga autizmi te fëmijët.

Niveli i lartë i thartirave folike dhe vitamina B janë të rëndësishme për zhvillimin e trurit të fëmijës tuaj. Të gjitha femrat në periudhën riprodhuese duhet të marrin midis 400 dhe 800 mikrogramë thartirë folike çdo ditë dhe këtu ka rol kyç edhe ushqimi i pasur me proteina, perime, fruta dhe drithëra.

A mund të ndikojë mbipesha e nënës në rrezikun nga autizmi

Nuk është konstatuar që shkakton rrezik. Nëse keni shtuar shumë peshë gjatë shtatzënisë, yndyra e tepërt e trupit mund të ndryshojë nivelin e hormoneve që ndikojnë në zhvillimin e trurit tek fetusi, por nuk është vërtetuar se ka lidhje me gjendjen autike.

A duhet të reduktoni ekspozimin tuaj ndaj kimikateve gjatë shtatzënisë?

Një studim i fundit zbuloi se disa faktorë mund të rrisin rrezikun e autizmit, veçanërisht ajri i ndotur, disa metale, pesticide dhe ftalate. Është e pamundur t’i shmangni të gjitha këto gjatë shtatzënisë, por përpiquni ta mbani ekspozimin tuaj në minimum. Çdo ekspozim i tepërt dhe inhalimi i përditshëm i disa kimikateve mund të shkaktojë ndryshime të rëndësishme në zhvillimin e trurit të fetusit, gjë që ka pasoja kur fëmija lind.

A ka lidhje midis diabetit gestacional dhe autizmit?

Është zbuluar se nënat e ardhshme që u diagnostikuan me diabet gestacional në javën e 26-të të shtatzënisë kishin një shans 63 për qind më të lartë për të pasur një fëmijë me autizëm. Kjo do të thotë se për çdo 1000 gra me këtë problem shëndetësor, shtatë prej tyre mund të lindin një fëmijë autik. Ekspertët thonë se ekspozimi ndaj niveleve të larta të sheqerit në gjak në mitër mund të ndikojë në zhvillimin e trurit të foshnjës dhe të rrisë rrezikun e çrregullimeve të zhvillimit.

A mund të rrisë rrezikun marrja e disa ilaçeve?

Përdorimi i antidepresantëve është treguar i lidhur me autizmin, megjithëse e vetmja gjë që mbetet e paqartë është nëse kjo lidhje lidhet vetëm me ilaçet apo me gjendjen depresive të vetë nënës. Gjithashtu, barnat e përdorura për trajtimin e epilepsisë dhe çrregullimeve të tjera neurologjike mund të rrisin ndjeshëm rrezikun. Prandaj është shumë e rëndësishme që gjinekologu juaj të jetë i informuar për terapitë që keni marrë para shtatzënisë dhe që janë të nevojshme për ju, në mënyrë që të vlerësohet rreziku i përdorimit të tyre për zhvillimin e fetusit.

A e rrit rrezikun më pak hapësira ndërmjet shtatzënive?

Një studim i kohëve të fundit që përfshiu një numër të madh grash tregoi se shtatzënitë midis 2 dhe 5 vjetësh bartin rrezikun më të ulët të zhvillimit të autizmit tek fëmija. Ndërsa nëse intervali është më i shkurtër se 12 muaj, probabiliteti rritet deri në 50 për qind për autizëm tek fëmija. E gjithë kjo tregon se një vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet rreziqeve të mundshme dhe me kohë, në bashkëpunim me mjekun, të parandalohet çdo shqetësim i zhvillimit të vetë fetusit. /Telegrafi/

istock