Traileri i parë për filmin e shumëpritur "Peaky Blinders" ka mbërritur dhe fansat nuk e fshehën entuziazmin e tyre në rrjetet sociale. Në më pak se 24 orë, ai mblodhi tre milionë shikime në YouTube.

Katër vjet pas finales së dramës së njohur kriminale të Netflix, fituesi i çmimit Oscar, Cillian Murphy, do ta riluajë rolin e tij si gangsteri britanik i viteve 1920, Tommy Shelby, në filmin e ri "Peaky Blinders: The Immortal Man", i cili do të shfaqet premierë në kinema më 6 mars dhe do të jetë i disponueshëm në platformën e transmetimit më 20 mars.


Klipi njëminutësh fillon me pyetjen: "Çfarë i ndodhi Tommy Shelby-t?" përpara se të shfaqen shpërthimet dhe të shtënat me armë zjarri në Birmingham gjatë Luftës së Dytë Botërore.

- YouTube youtu.be

Shelby me flokë të thinjur pastaj thotë: "Unë nuk jam më ai burrë".

Në trailer shfaqen gjithashtu aktorët Rebecca Ferguson dhe Barry Keoghan, të cilët bashkohen si personazhe të rinj.

Vetëm pak orë pasi u publikua traileri në prag të Krishtlindjeve, fansat mbushën rrjetet sociale me reagime për rikthimin e personazheve të tyre të preferuar, me një përdorues të YouTube që shkroi: "Dhurata më e mirë e Krishtlindjeve ndonjëherë, rikthimi i Shelby-t".

Në kastin e aktorëve përfshihen edhe Tim Roth, Stephen Graham, Sophie Rundle, Packy Lee, Ian Peck, Ned Dennehy dhe Jay Lycurgo.

Krijuesi i serialit, Steven Knight, tha në një njoftim për shtyp: "Vendi është në luftë, dhe sigurisht, edhe Peaky Blinders tanë janë në luftë. Do të jetë një kapitull shpërthyes në historinë e Peaky Blinders. Nuk ka kufij. Peaky Blinders në luftë të vërtetë". /Telegrafi/