LAJMI I FUNDIT:

Çështja e detit me Greqinë, Rama: Marrëveshja duhet të kalojë hapat

Çështja e detit me Greqinë, Rama: Marrëveshja duhet të kalojë hapat

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi sot lidhur me çështjen e detit mes Shqipërisë dhe Greqisë se kanë arritur në një marrëveshje në parim, se marrëveshja duhet të kalojë hapat.

Rama ka thënë se janë pajtuar në parim që cështja të shkojë në gjykatën ndërkombëtare dhe tani duhet kryer procedura.


Sipas tij, presidenti duhet të japë një autorizim të ri për grupin negociator që të fillojë punën dhe pastaj duhet të përgatitet diçka e quajtur marrëveshje e përbashkët.

Në një intervistë për gazetën prestigjioze greke “Kathimerini” i pyetur nga gazetari Pavlos Papadopoulo, nëse është i gatshëm të nënshkruaj një marrëveshje arbitrazhi dhe t’ia referojë çështjen Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë, Rama theksoi se “ky është sërish një shembull i mirë për t’iu shpjeguar sesi e shoh unë politikën”.

“Kur u nënshkrua kjo marrëveshje midis paraardhësit tim dhe më duket, Karamanlisit dhe Dora e firmosi me kundërshtarin tim të dashur, unë nuk e kisha idenë, askush nuk e kishte idenë çfarë ishte.  Doli si lajm dhe të gjithë ishin në rregull, me idenë që është një marrëveshje midis Greqisë dhe Shqipërisë, pra s’ka asgjë të keqe. Më pas, disa njerëz nga shoqëria civile, konkretisht, një ish-ushtarak i lartë nisi të shkruante gjëra që ishin shumë shqetësuese. Kur ka arsye për t’u ngritur kundër shqiptarëve në Greqi, ka shumë njerëz atje që e bëjnë. E njëjta gjë ndodh në Shqipëri kundër grekëve, gjen shumë njerëz që e bëjnë. Klima u helmatis e u ndez shumë. Njerëzit e partisë sime thoshin se ky ishte një rast i mirë për t’u vërsulur. U thashë “jo, sepse kjo do të ishte shumë e lehtë. Nëse fillojmë të hapim një betejë politike për këtë, çfarë do të themi, ku do dalim?” Në të njëjtën kohë, argumentet ishin tejet shqetësuese, ndaj iu thashë: “Dëgjoni, e vetmja gjë që mund të bëjmë është ta çojmë në Gjykatën Kushtetuese”.

“Meqë ra fjala, në atë kohë, Gjykata Kushtetuese kishte gjithnjë vendime mjaft të balancuara ose, kryesisht, me shumicë, nga ana tjetër, ndaj iu thashë: “Është një gjykatë e balancuar. Janë njerëz të arsyeshëm, kështu që janë ata të cilët duhet t’i hyjnë me themel, pasi marrëveshjet detare nuk janë të lehta dhe nuk ka shumë njerëz që e njohin legjislacionin e detit, sepse është një qoshe e veçantë në universin e ligjit”. E çuam në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykata Kushtetuese mori një vendim 9 me zero, 9 me zero kundër qeverisë, diçka shumë e rrallë. Kjo mbeti çështje e hapur dhe kur u bëra kryeministër, nisa të flas për të, e më kujtohet kur bëra diskutimin e parë, kur (kryeministri) Samaras më kërkoi se ç’mendoja.

Më pas, kur i bëmë këto diskutime me Aleksisin (Tsipras), i thashë: “Përse të mos shkojmë në Gjykatën Ndërkombëtare?” Kjo është diçka për të cilën vendet tona… Këtu jemi të ngjashëm. Ju mund të jeni në Bashkimin Europian dhe ne jemi kandidatë, ju jeni përpara nesh, sepse historia është treguar më bujare me ju sesa me ne, e keni pasur BE-në përpara nesh prej një kohe të gjatë, por në këtë pikë vazhdojmë të jemi të ngjashëm”.

Rama theksoi se është shumë i kënaqur që kanë arritur në këtë marrëveshje për çështjen të vendos Gjykata Ndërkombëtare.

“Prodhojmë ende më shumë histori nga ç’mund të tresim. Kur bëhet fjalë për të tilla gjëra, sigurisht që mund të shpallesh në çast tradhtar, qoftë nga ana greke apo ajo shqiptare. Të dyja palët akuzojnë për tradhti, megjithëse nuk mund të ketë tradhti konsensuale në të dyja anët. Njëri duhet të jetë tradhtari, tjetri përfituesi apo jo? Kështu i shprehja këto, por “Jo, jo, jo.” Aleksisi ishte i ftohtë (mbi këtë ide). Nisëm të zhvillonim negociata pas negociatave për këtë. Shkuam në një pikë të mirë, më duhet të them, por, pastaj, poezia, proza e Syriza-s mbaroi dhe ne rifilluam. Jam shumë, shumë, shumë i kënaqur që arritëm në këtë marrëveshje që, më mirë, t’ia lëmë Gjykatës Ndërkombëtare”, tha Rama.

Pyetjes nëse është optimist, që do të realizohet, Rama iu përgjigj se shpreson.

Gazteari grek u shpreh se “ka zëra dyshues. I dini ata zëra dyshues që thonë se Edi Rama preferon miqësinë strategjike të Presidentit Erdogan dhe Presidenti Erdogan nuk dëshiron një marrëveshje midis Greqisë dhe Shqipërisë, sepse një marrëveshje e tillë mund të përdoret si model për një marrëveshje të ardhshme në Egje midis Greqisë dhe Turqisë. Është kjo një tjetër histori konspirative?”

“Kjo është një goxha teori konspirative. E para, sepse kur unë e kundërshtova marrëveshjen në gjykatë, nuk e kisha takuar kurrë Presidentin Erdogan dhe nuk kisha asnjë lidhje me askënd në Turqi, se ishim në opozitë. E dyta, po, kemi një marrëveshje partneriteti strategjik me Presidentin Erdogan, por nuk mendoj që duhet të zgjedhim mes Presidentit Erdogan apo Qirjakos Mitsotakis, midis Greqisë dhe Turqisë. Ne i duam të dyja. Fakti që ju nuk e keni shumë qejf njëri-tjetrin nuk duhet të përbëjë problem për ne që t’ju pëlqejmë të dyve, mendoj. Presidenti Erdogan kurrë, asnjëherë – po jua them këtë dhe është fjala ime kundër teorive konspirative – nuk më ka kërkuar, madje as më ka pyetur, çfarë po ndodh me këtë. Kurrë! Asnjëherë! Ai nuk ka nevojë për Shqipërinë për të bërë betejat e tij”, theksoi Rama.

Rama shtoi se kur flasin për Presidentin Erdogan, ndjesia e tij është që Presidenti Erdogan nuk është anti-grek.

“Presidenti Erdogan është ai, që ju e dini shumë mirë besoj, pati kurajën kur ende nuk ishte ky që është sot, por ishte vetëm kryeministër, të hidhte në tryezë një marrëveshje për Qipron, ju kujtohet, që ishte diçka mjaft e rrezikshme për karrierën e tij në Ankara dhe e bëri. Asokohe ai u – nuk do të përdor atë fjalën e fortë, por diçka e ngjashme, ju mund të gjeni në greqisht një fjalë më të butë –nga Bashkimi Europian! Pastaj gjatë krizës së rëndë që kaloi Greqia, nuk e pashë të shfrytëzonte rastin që ta rëndonte ca më shumë, sepse, po të donte të shkatërronte Greqinë apo nëse ai ka ndërmend të shkatërrojë Greqinë, do ta kishte përdorur atë moment për ta bërë (krizën) më të dhimbshme, duke përdorur refugjatët e me radhë.

Nuk e bëri. Vërtet, nuk e kam parë kurrë tek ai një njeri që ushqen ndjenja të këqija ndaj Greqisë dhe popullit grek.Natyrisht, ai ka mendimin e tij lidhur me situatën mes jush, me çështjen e detit, po nuk i hyj kësaj, se nuk më takon mua, por, mesa di, pala turke ka kohë që kërkon të shkojë në Gjykatën Ndërkombëtare, kështu? Kjo është pra! Ne jemi të kënaqur që pala greke pranoi që të shkojë në Gjykatën Ndërkombëtare me ne dhe shpresoj të shkojë në Gjykatën Ndërkombëtare edhe me Turqinë dhe çështja të zgjidhet nga një palë e tretë, me të cilën të dyja palët bien dakord. Në të kundërt, do të vazhdojmë të jemi tradhtarë mes tradhtarësh të tradhtarëve, e kjo nuk është një ide e mirë”, tha Rama./kp/

Në trend Lajme

Më shumë
“Në hava kam me t’çu se e kam vajzën deputete”, Deliu-Kodra me kritika të ashpra ndaj deputetes së LVV-së duke ia kujtuar rastin e 90-vjeçarit

“Në hava kam me t’çu se e kam vajzën deputete”, Deliu-Kodra me kritika të ashpra ndaj deputetes së LVV-së duke ia kujtuar rastin e 90-vjeçarit

Lajme
Tension në Kuvend mes PDK-së e LVV-së, Shala ia ndalon fjalën Kusari-Lilës – nënkryetarja thërret sigurimin

Tension në Kuvend mes PDK-së e LVV-së, Shala ia ndalon fjalën Kusari-Lilës – nënkryetarja thërret sigurimin

Lajme
“Ju kemi njohur para lufte...ju njohim edhe tash”, Haxhiu, opozitës: Milionerë nuk ishit, jeni bërë vetëm duke qenë në qeveri

“Ju kemi njohur para lufte...ju njohim edhe tash”, Haxhiu, opozitës: Milionerë nuk ishit, jeni bërë vetëm duke qenë në qeveri

Lajme
Vihet gurthemeli i dy klinikave në QKUK – vlera e tyre arrin mbi 4 milionë euro

Vihet gurthemeli i dy klinikave në QKUK – vlera e tyre arrin mbi 4 milionë euro

Lajme
Shtëpia-muze që ruan dhimbjet e viktimave të masakrës së Poklekut

Shtëpia-muze që ruan dhimbjet e viktimave të masakrës së Poklekut

Lajme
Vrasja e Liridona Ademajt - edhe dy muaj paraburgim për Naim Murselin dhe dy të tjerët, i dyshuari i katërt mbrohet në liri

Vrasja e Liridona Ademajt - edhe dy muaj paraburgim për Naim Murselin dhe dy të tjerët, i dyshuari i katërt mbrohet në liri

Drejtësi
Kalo në kategori