LAJMI I FUNDIT:

Çapaliku: Kujtimet janë arsenali i armëve me të cilën një shkrimtar a një artist fiton betejën

Çapaliku: Kujtimet janë arsenali i armëve me të cilën një shkrimtar a një artist fiton betejën

Dramaturgu, regjisori dhe esteti i njohur shqiptar, Stefan Çapaliku, rikthehet në kohë dhe ecën përmes kohës deri në ditën e sotme, duke sqaruar shumë momente vendimtare të karrierës së tij në “republikën e letrave shqipe”…

A e mbani mend, kur keni shkruar dialogun e parë të një drame?

Po. Sepse është njësoj si të më pyesni se kur kam puthur për herë të parë. Patjetër që e mbaj mend. Ka qenë dhjetori i vitit 1988. Sapo kisha mbaruar Fakultetin Filologjik të Tiranës dhe gjendesha në shtëpinë time në Shkodër, i papunë. Aty me një makinë të vjetër shkrimi pata shkruar dramën e parë “Gjurmë mbi borë”, që nëse nuk ka humbë do doja shumë të humbte…

A e mbani mend, kur është vënë në skenë pjesa juaj e parë?

Po. Sepse është njësoj si të më pyesni se kur kam kryer aktin e parë seksual. Patjetër që e mbaj mend. Ka qenë pranvera e vitit 1995, kur mjeshtri Serafin Fanko vuri në skenë dramën time “Ftesë për darkë” me skenografi të veten dhe në interpretimin e Bep Shirokës, Viktor Bruçetit, Ymer Balës, Rita Gjekës, Gjon Kolës dhe Sokol Balcës (më vonë Gazmend Gjokës). Ky produksion, në vjeshtën e atij viti mori tre çmime të para në Festivalin Kombëtar të teatrove në Vlorë: për tekstin më të mirë (Stefan Çapaliku) për regjinë më të mirë (Serafin Fanko) për rolin e dytë më të mirë (Rita Gjeka).

A e mbani mend, si jeni tërhequr fillimisht në fushën e dramës?

Kanë qenë dy faktorë me gjasë. Njërin dhe e kam përshkruar në romanin tim “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”. Është ai momenti kur unë zbuloj se në arkën e nuses së tezës së tim eti, gjendej i gjithë arkivi i një dramaturgu dhe regjisori të viteve ‘20-‘40 të shekullit që shkoi, Zef M. Harapi. U mahnita mbas atij burri. Ishte koha e gjimnazit dhe i zhytur në ato letra të vjetra e ndjeja se po krijoja një kulturë të dytë, të palejuar e të anatemuar nga ajo zyrtare e kohës. Faktori i dytë ka të bëjë me një njohje familjare me regjisorin Serafin Fanko, i cili aso kohe (pra flasim për vitet ’80 të shekullit që shkoi) ishte me të vertetë një mbret i teatrit. Një “Re”, prej nga vjen edhe fjala “Regjisor”. Ai më ka lejuar fillimisht të merrja pjesë në prova dhe prej atij çasti marrja pjesë në prova ka qenë dhe mbetet një ndër privilegjet më të mëdha që më ka dhuruar jeta.

Në tërësi, sa ndikojnë këto memorie në vazhdimin e krijimtarisë tuaj?

Mbetem i besimit se kujtimet janë arsenali i armëve me të cilën një shkrimtar a një artist fiton betejën. Nuk ia dal t’i kuptoj njerëzit pa memorie apo me memorie të dobët dhe kam vëne re se nuk i kam më pjesë të rrethit tim shoqëror. Gjithashtu jam i mendimit se kultura është e barabartë me kujtesë. Pra ne jemi të kulturuar aq sa mbajmë mend. Dhe, për t’u kthyer në mënyrë më të drejtpërdrejtë pyetjes suaj mund t’ju them pa drojë se romani që kam në proces “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” dhe prej të cilit kam botuar deri më tash dy vëllime, e verteton katërcipërisht hipotezën e pyetjes suaj.

Cilat janë raportet tuaja si autor me skenografinë, regjinë dhe mizanskenat…?

Është si raporti që imagjinoj se ka pasë Ungjilltari Gjon, kur flet në dëshminë e tij (Ungjilli simbas Gjonit) për procesin e “mishërimit të fjalës”… Pra, është diçka e jashtëzakonshme. Është momenti kur t’i i falë një jetë materiale tekstit tënd dramatik, apo e thënë ndryshe tekstit tënd impersonal.

Ju keni provuar të bëni edhe regjinë e veprave tuaja, si jeni ndjerë?

E kisha pasë gjithmonë ëndërr të bëhesha pjesë e këtij procesi krijues teatror, por kurrë nuk kisha pasë kurajon ta pranoja se një ditë do mund ta bëja vetë. Kjo situatë vazhdoi deri në vitin 2002, kur u ndesha përherë të parë me faktin se një dramaturg mund të ishte edhe regjisor i veprave të veta. Dhe kjo ndodhi kështu rastësisht. Gjendesha në Wiesbaden të Gjermanisë për të marrë pjesë në Bienalen e Teatrit “New plays from Europe”, dhe gjatë bisedave me kolegët e mi dramaturgë, darkave, mbas shfaqjeve, të ulur aty poshtë çadrës së madhe të festivalit, me nga një gotë birrë në dorë, dhe duke biseduar për punët e njëri-tjetrit, përherë e më shpesh dëgjoja kolegët e mi dramaturgë duke thënë se kishin vënë apo ishin duke vënë ne skenë veprat e veta. Kjo në fakt më dha kurajo të madhe, por jo aq të mjaftueshme t’ia hyja kësaj pune. Derisa në bienalen tjetër, të vitit 2004, një koleg lituan më i ri se unë, Marius Ivaškevičius, tha për veten e tij: “Pse?! Si mendoni ju?! Karriera ime artistike do varet nga humori i regjisorëve të tjerë?! I pëlqej apo nuk i pëlqej atyre?! Duan apo s’duan ata të më vënë në skenë?!” Mbas këtyre fjalëve jo aq të drejta, por mjaftueshëm bindëse të kolegut tim, e vendosa t’ia hyja kësaj pune…

Cili është raporti ideal midis dialogjeve dhe ngjarjeve në skenë?

Nuk ka.

Drama në tërësi është vepër dialogu apo veprimesh?

Teksti dramatik ka dy përmasa brenda vetës: 1. Dramaturgjinë apo e thënë ndryshe rendin e ngjarjeve, pra atë që ti i tregon një tjetri që nuk ka qenë në teatër, se për çfarë bënte fjalë pjesa; 2. Tekstin që përbëhet nga dialogjet dhe didaskalitë. E shpjeguar kështu është veprimi (dramaturgjia) që prin, por kjo nuk do thotë se nga ndonjëherë edhe një batutë e nxjerrë si “pa mend” nga goja e një prej personazheve tuaj, të mos e drejtojë për tjetër kund fillin drmaturgjik.

A besoni se fundi i dramës është edhe zgjidhja e saj?

Jo.

Si mund të mbyllet një dramë pa pikë kulmore dhe pa fund?

Drama nuk është e thënë të mbyllet. Veçanërisht drama moderne, postmoderne dhe kontemporane e mbart me vete shpesh cilësinë e të mbeturit e hapur.

Pse në një vend me shumë drama, nuk luhen në skenë shumë drama?

Hahaha… kjo është e vërtetë. Sa i takon popullit shqiptar në një farë mënyre përgjigjen e ka dhënë Max Lambertz të parathënia që i ka bërë botimit në gjermanisht të “Lahuta e Malcisë”, ku thotë në mënyrë të perifrazuar se drama nuk i ka hije popullit shqiptar. I gjendur vazhdimisht në dramë, vazhdon Lambertz, ai kurrë nuk ka pasë qetësinë dhe distancën e duhur për t’u marrë me teatër. Dhe unë e besoj këtë.

A po gabojnë regjisorët tanë, kur përkthejnë vepra nga popuj të tjerë?

Jo. Po të gabonin, atëherë kjo do ishte një kthim mbrapa te epoka e izolimit komunist. Puna është sesi mund ta çojmë nivelin e dramës shqipe deri aty.

A janë të mjaftueshme skenat teatrore në Tiranë dhe në qytete të tjera?

Është një matematikë e thjeshtë. Standardi evropian kërkon që për çdo 80 mijë banorë të kemi nga një teatër. Pra Tiranës do ju donin të paktën dhjetë.

Në fund, një mendim për debatin mbi ndërtesën e Teatrit Kombëtar…

Që të ndërtohet një teatër i ri, prej kësaj shoqëria dhe qyteti vetëm do të përfitonte, por që të thuren allishverishe të tilla, në kurriz të atij të shkretë Teatër Kombëtar, këtë nuk do ta besoja kurrë më parë. Sesi i lindi një ditë në zemër pushtetarëve tanë ndjesia, se teatri nuk i ka punët mirë, dhe se duhet shembur, këtë ata duhet ta dëshmojnë një ditë. Unë jam njeri që besoj. /Faktor.al/