Brukseli sytë tek takimi i ardhshëm i kryenegociatorëve
Para 3 vitesh
Linku i lajmit u kopjua
Pa ndonjë afat të caktuar do të vazhdohet me përdorimin e stikerëve në targat e veturave nga Kosova e Serbia. Dështimi për arritjen e marrëveshjes, është konsideruar si zhgënjyes, por shpresojnë që palët do të kthehen në tavolinën e bisedimeve. Por analistë politik, këtë e shohin si një mundësi që dialogu, të shkojë në një fazë më të lartë.
Simbolet e Kosovës e Serbisë në targa të veturave nga dy vendet, pa ndonjë afat të caktuar, do të vazhdojnë të mbulohen në pikë kalimet kufitare.
Nga Brukseli është shprehur dëshpërimi për dështimin e arritjes së një marrëveshje, por shpresojnë në një takim të ardhshëm nga kryenegociatorët.
“BE-ja shpreh keqardhjen që nuk është arritur asnjë marrëveshje për çështjen e targave ndërmjet dy kryenegociatorëve. Duke qenë se nuk ka marrëveshje për një zgjidhje të përhershme, regjimi i ngjitjes vazhdon të zbatohet. BE-ja, si lehtësues, fton kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë që të takohen sërish në ditët në vijim në Bruksel për të rënë dakord për rrugën përpara për të gjetur një marrëveshje”, ka thënë Peter Stano, raporton RTV Dukagjini.
Stano, ka bërë të ditur se po përgatiten për një takim të nivelit të lartë, derisa u ka bërë thirrje dy palëve që të përmbahen nga çdo veprim i një anshëm i cili mund të rrezikoj sigurinë vendit.
Por, dështimin e javës së kaluar për targat, njohës të dialogut, po e shohin si një mundësi që procesin ta qojnë shkallë më të lartë.
“Dialogu tash duhet të hyj në një fazë tjetër dhe të shkohet drejt marrëveshjes përfundimtare. Institucionet e Kosovës nuk duhet të humbin kohë me bisedime teknike por takimi dhe dialogu duhet të jetë në nivel të lartë. Për shkak të luftës në Ukrainë gjendja politike në BallkaninPërendimor ka ndryshuar totalisht, andaj ideja më e mirë do të ishte që të shkohet në një dialog të liderëve”
Ndersa Violeta Haxholli nga KDI, thotë se për çështje të targave në dialogu nuk kanë mundur të gjejnë zgjidhje tash e një dekadë.
“Fatkeqësisht edhe mbas gjashtë muajve palët s’kanë arrit një marrëveshje për këtë çështje dhe fatkeqësisht kjo gjë është diskutuar tash e një dekadë por që edhe pse palët diskutuan gjashtë muaj për këtë temë nuk u arrit një marrëveshje. Ne këtë fazë të dialogut kemi ngadalësime të procesit pasi palët nuk po pajtohen te kenë një marrëveshje finale”, ka thënë ajo.
Por aq sa mungon vullnetit politik te pala serbe, po aq ka mungesë në Kosovës që këto tema të shkojnë përpara, thotë Abit Hoxha ligjëruesi universitar.
“Dialogu duhet të lihet në duart e palëve. Ndërkombëtaret kanë tentu të shtyjnë këtë agjendë tash e 12 vite dhe ska strategji tjetër për ta shtyr dialogun përpara përveç iniciativave nga dy palet”, ka thënë ai.
Vendosja e afisheve në vetura filloi të implementohet nga 4 tetori i vitit të kaluar, pas një marrëveshje të arritur në Bruksel, që qoi në zhbllokimin e dy pikave kufitare në veri.