LAJMI I FUNDIT:

Britania refuzon t’ia kthejë Greqisë statujat e Parthenonit

Britania refuzon t’ia kthejë Greqisë statujat e Parthenonit

Qeveria e Britanisë së Madhe ka njoftuar se rikthimi i monumenteve historike në vendet e origjinës nuk mund të jetë pjesë e marrëveshjes tregtare që do të bëhet me Bashkimin Evropian pas Brexit-it.

Drafti negociues i BE-së i cili ka rrjedhur në shtyp, parashikon që palët “të diskutojnë problemet që lidhen me veprat kulturore që janë nxjerrë nga vendi në mënyrë të paligjshme”.

Shtypi britanik ka shkruar se çështja në fjalë është vendosur në rend dite nga Greqia, e cila thekson se i janë vjedhur shumë vepra historike, përfshirë statujat e Parthenonit. Athinës i kanë dhënë mbështetje Qiproja greke dhe Spanja.

Por, një zëdhënëse e qeverisë britanike, në një deklaratë lidhur me çështjen, ka refuzuar rikthimin e statujave Parthenon të cilat ekspozohen në Muzeun Britanik.

“Qëndrimi i Britanisë lidhur me statujat e Parthenonit nuk ka ndryshuar. Këto janë në përgjegjësi ligjore të Muzeut Britanik dhe nuk mund të bëhet çështje e diskutimit në kuadër të marrëveshjes tregtare”, ka thënë zëdhënësja.

Athina prej shumë vitesh kërkon rikthimin e statujave, por Britania nuk pranon. Në Muzeun Britanik, krahas monumenteve të Greqisë, ekspozohen edhe veprat që janë marrë nga shumë vende tjera, përfshirë edhe Turqinë. /AA/