Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), mori pjesë si partner institucional në “Brezovica Economic Forum 2025”, duke organizuar panelin e zëvendësguvernatorëve për të diskutuar mbi qasjen në financa, mundësitë e investimit dhe bashkëpunimin rajonal.

Paneli, i bashkorganizuar nga BQK-ja dhe Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), ku mori pjesë edhe Guvernatori Ahmet Ismaili, trajtoi zhvillimet kryesore në ekosistemin financiar të vendeve pjesëmarrëse dhe prezantoi vizionin strategjik për “diversifikimin e burimeve të financimit, integrimin evropian dhe modernizimin e infrastrukturës financiare”.


Në fjalën e tij hyrëse, Guvernatori Ismaili theksoi rëndësinë e sektorit financiar për ekonominë reale, duke theksuar se “sistemi financiar përfaqëson 157% të BPV-së, me bankat që mbajnë pjesën më të madhe të aseteve, fondet pensionale që kontribuojnë si investitorë afatgjatë dhe institucionet mikrofinanciare që luajnë një rol të rëndësishëm në përfshirjen financiare.”

Ai gjithashtu vuri në pah tri arritjet kryesore të Kosovës në dy vitet e fundit.

“Vlerësimin e parë sovran të kredisë BB-, largimin nga lista e vendeve të prekura nga konflikti sipas FMN-së dhe Bankës Botërore, dhe avancimin në integrimin financiar përmes SEPA dhe projektit TIPS Clone, duke e afruar vendin më pranë infrastrukturës financiare evropiane”, thuhet në njoftimin për media.

Guvernatori Ismaili elaboroi edhe mbi nevojën për diversifikimin e burimeve të financimit përtej sektorit bankar, duke përmendur “skemat e garancisë dhe zhvillimin e tregut të kapitalit, për të zgjeruar mundësitë e investimit dhe për të rritur konkurrencën”.

Diskutimet e panelit nxorën në pah se përtej financimit të fortë nga bankat, “tregu i kapitalit është thelbësor për rritje afatgjatë dhe diversifikim të financimit në Kosovë dhe rajon, duke ulur varësinë nga sektori bankar dhe duke nxitur inovacionin dhe zhvillimin ekonomik”.

BQK mori pjesë në këtë forum në kuadër të rolit të saj proaktiv për “nxitjen e dialogut profesional dhe promovimin e bashkëpunimit në funksion të ndërtimit të sistemeve financiare më të qëndrueshme, më të sigurta dhe më të integruara në rajon, në përputhje me Planin Strategjik.”

Ky forum thekson rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe të integrimit financiar për të rritur mundësitë e investimit dhe qëndrueshmërinë ekonomike në Ballkanin Perëndimor. /Telegrafi/