LAJMI I FUNDIT:

Brexit: Më shumë kohë më pak kaos?

Brexit: Më shumë kohë më pak kaos?

Teatri i Brexit-it po bëhet gjithnjë e më absurd. Vendi anëtar që kërkon të dalë nga BE-ja, por nuk është i aftë të organizojë largimin prej tij, eventualisht do të jetë i detyruar të marrë pjesë në zgjedhjet evropiane në maj. Të marrë pjesë në zgjedhjet e një institucioni të BE-së, pjesë e të cilit nuk do të jetë më. Nuk ka çudi që përfaqësuesve të vijës së ashpër të Brexit-it u erdhi në mendje që ta përdorin këtë shans për sabotim dhe t’i venë BE shkopinj nën rrota.

Absurditetin e situatës BE përpiqet ta mbulojë me një zgjatje fleksibile të daljes së Britanisë së Madhe nga BE. Nëse britanikët bien dakord për marrëveshjen e largimit nga BE-ja, ata mund të largohen në ditën e parë të muajit në vijim, por më së voni në 31 tetor.


Në këta muaj torturues në politikën e brendshme, deri në tetor – me një Parlament tërësisht të përçarë dhe një kryeministre pa mbështetje e pushtet – Britania e Madhe duhet të qëndrojë ulur në tryezën e 28 anëtarëve të BE pa i penguar proceset e BE-së. “Të rimarrim kontrollin” – premtimi i atyre që bënë fushatën për Brexit donte të kishte një tingëllim tjetër nga ai që ka filluar të ketë sot.

Në samitin e gjatë të Brukselit, BE-ja i ka diktuar kryeministres britanike kushtet dhe vendosi, nëse ky vend “tradhtar” do të largohej të premten (afati ishte më 12 prill) apo do të ndahej nga BE-ja pas disa muajsh. Nuk është e sigurt nëse deri në fund të shtyrjes së re do të kemi një marrëveshje të ratifikuar nga të dyja palët. Ka gjasa që ky teatër, i vështirë për t’u kuptuar, pikërisht sepse është kaq absurd, të vazhdojë të ketë akte të reja. Që tani është e qartë, edhe në fund të tetorit do të ketë një shtyrje tjetër, sepse BE nuk do të jetë fajtore për një Brexit të ashpër.

Zgjidhja më e pastër e pa shumë absurditete do të ishte tërheqja e kërkesës për largim nga BE nga ana e qeverisë britanike. Kështu vendi me të drejta të plota në BE do të kishte të gjithë kohën e botës të gjente veten, të ndërmerrte një tentativë të re, si dhe të negocionte një marrëveshje tjetër largimi. Britma e Brexit-asve që duan të ikin një minutë e më parë nga BE-ja do të ishte shumë e fortë. Theresa My, pas tërheqjes së kërkesës në bazë të nenit 50 do duhej të dorëhiqej, por këtë ajo e ka ofruar ndërkohë, vetëm që parlamenti të arrijë në një ujdi.

Pasiguria për qytetarët dhe firmat mbetet edhe pas vendimit për shtyrjen. Situata e pasigurt është helm për investimet e ardhshme. Deri tani 27 vendet anëtare kanë qenë habitshëm të një mendimi përsa i përket procedurës së Brexit-it. Por, duket se ky unitet po lëkundet. Franca ka qenë shumë rezistente ndaj një shtyrjeje të re të Brexit-it, megjithëse atë e mbështeste shumica. Franca, ashtu si Theresa May, donte ta mënjanonte pjesëmarrjen në zgjedhjet evropiane. Gjermania mbështeste idenë e shtyrjes së afatit për daljen e Britanisë së Madhe nga BE në dhjetor apo mars për të mos u përqendruar më kaq shumë tek kjo temë. Në fund u arrit një kompromis: fundi i tetorit. Edhe një nofkë kjo shtyrje e re e ka marrë ndërkohë: Brexit-Hallouin. Në natën e fundit të tetorit vijnë vërdallë sipas legjendës fantazmat. A do të jetë Hallouini një ogur i mirë?