Punëtorët e Ndërmarrjes së Pastrimit janë në grevë tash e gjashtë ditë. Sipas tyre, Komuna e Prishtinës i ka borxh kësaj kompanie 2.7 milionë euro. Ata kërkojnë gjithashtu që t’u paguhen borxhet për derivate dhe mirëmbajtjen e kamionëve.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Bekim Brestovci, ka deklaruar se greva e punëtorëve është e motivuar tërësisht nga të pavërtetat e shpërndara nga kryeshefi i ndërmarrjes, transmeton Telegrafi.


"Greva e punëtorëve të ndërmarrjes Pastrimi është e motivuar komplet nga të pavërtetat e Kryeshefit të tyre, Petrit Reqica se gjoja Komuna i ka ndërmarrjes një borxh prej 2.7 milion euro. Ndjej keqardhje per këta njerëz punëtor të cilët ranë viktimë e një keqmenaxhimi të ndërmarrjes nga Kryeshefi Reqica i cili ndërmarrjen në vend që ta bëjë konkurruese në treg e bëri aset elektoral të partisë politike të cilës ai i takon", ka shkruar ai në Facebook.

Ndryshe, ndërmarrja "Pastrimi", ka ndërprerë shërbimet tash e disa ditë, duke deklaruar se janë në krizë financiare./Telegrafi/