LAJMI I FUNDIT:

“Brenda pak ditësh vendoset për Nexhat Çoçajn”

“Brenda pak ditësh vendoset për Nexhat Çoçajn”

Përkundër që Drejtori komunal i Arsimit në Prizren, Nexhat Çoçaj u dënua me tre vjet burg efektiv nga Gjykata, për shkak se keqpërdori paratë e dedikuara për manifestimin tradicional kushtuar dëshmorit të UÇK-së, Remzi Ademaj, drejtuesit e kësaj komune ende nuk kanë marrë vendim për shkarkimin e tij.

Nga burime brenda kësaj komune merret vesh se pritet që brenda pak ditësh të shkarkohet Nexhat Çoçaj, pas këtij vendimi të Gjykatës.


Mirëpo, zyrtarisht nga Komuna e Prizrenit theksojnë se ende nuk kanë vendosur për këtë çështje.

Zëdhënësi i Komunës së Prizrenit, Ymer Berisha ka thënë se ende nuk kanë vendim të prerë për këtë çështje dhe brenda këtyre pak ditëve do të merret vendimi përfundimtar për Çoçajn.

“Ende nuk kemi marr ndonjë vendim të prerë për këtë çështje. Presim që ditëve të ardhshme të merret vendimi”, ka thënë ky burim.

Para pak ditësh është raportuar se kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja pritet që të shkarkoj të paktën edhe dy drejtorë të tjerë, të cilët sipas tij, mbajnë përgjegjësi për vdekjen e 3 vjeçares, Xheneta Gashi, për shkak të rrënimit të një shtëpie të vjetër, e cila është pjesë e Zonës Historike të Prizrenit.

Sipas burimeve riformatizimi që pritet të ndodh në qeverisjen komunale të Prizrenit, kanë bërë që kreu i PDK-së, Kadri Veseli gjatë javës së fundit, disa herë radhazi të qëndroj në qytetin i cili udhëhiqet nga Ramadan Muja. /Gazeta Blic/