LAJMI I FUNDIT:

BQE-ja këmbëngul në rritjen e normave të interesit për të ndaluar rritjen e inflacionit në Eurozonë

BQE-ja këmbëngul në rritjen e normave të interesit për të ndaluar rritjen e inflacionit në Eurozonë

Banka Qendrore Evropiane këmbëngul se normat e interesit në të gjithë Eurozonën duhet të vazhdojnë të rriten për të ndaluar inflacionin në rritje të shpejtë.

Apeli i BQE-së për t’i dhënë përparësi luftës kundër inflacionit me rritje të mëtejshme të kostos së huamarrjes erdhi pasi rriti normat me 0.75 pikë përqindje në 1.25 për qind.


BQE paralajmëroi se inflacioni ishte në shkallën e tij më të lartë në pothuajse gjysmë shekulli në korrik në 9.1 për qind nga 8.9 për qind dhe në rrezik për t’u rrënjosur.

“Inflacioni mbetet në mënyrë të papranueshme i lartë”, u shpreh Peter Kažimír, shefi i Bankës Qendrore të Sllovakisë, i cili është pjesë i organit drejtues të BQE-së.

Ai shtoi se aktualisht prioriteti është vazhdimi i fuqishëm i normalizimit të politikës monetare.

Vërejtjet e Kažimír u interpretuan gjerësisht si një thirrje për rritje të mëtejshme të konsiderueshme të kostove të huamarrjes, pavarësisht nga gjasat që ajo do të ngadalësojë ndjeshëm rimëkëmbjen ekonomike të bllokut prej 19 anëtarësh të monedhës euro.

Duke mbështetur fjalët e tij, presidenti i Bankës Qendrore të Holandës, Klaas Knot tha se ngadalësimi i rritjes ishte një efekt anësor i domosdoshëm i luftës kundër inflacionit.

Knot theksoi se pret që inflacioni të vazhdojë të rritet në muajt e ardhshëm, kështu që kjo do të thotë se do të ketë vetëm një problem: inflacionin. Ai sqaroi se duhet ngadalësuar rritja ekonomike, të paktën pak për të ulur inflacionin.

Zyrtarët e Bankës së Anglisë pritet të përsërisin rritjen e gushtit prej 0.5 pikë përqindjeje në takimin e radhës, duke e çuar normën bazë të bankës në 2.25 për qind. Ata do të takoheshin më 15 shtator, por në shenjë respekti pas vdekjes së Mbretëreshës, takimi është shtyrë për një javë, kështu që do të zhvillohet më 22 shtator.

Sanjay Raja, një ekonomist i lartë në Deutsche Bank Research, tha se nëntë anëtarët e komitetit të politikës monetare ka të ngjarë të miratojnë një kurs të mesëm pas një ndarjeje trepalëshe, me dy anëtarë që mbështesin një rritje më të dobët prej 0.25 pikë përqindjeje dhe dy që mbështesin një përqindje më agresive prej 0.75.

Raja tha se premtimi i qeverisë për të injektuar 150 miliardë paund në ekonomi për të ulur faturat e energjisë për familjet dhe bizneset do të konsiderohej inflacionist nga Banka, duke çuar në rritje të mëtejshme të normave vitin e ardhshëm në një kulm prej 4 për qind. /Telegrafi/