LAJMI I FUNDIT:

“Botëkuptimi marksist-leninist” i Rexhep Qosjes

“Botëkuptimi marksist-leninist” i Rexhep Qosjes

Nga: Kastriot Dervishi

Kohët e fundit, Rexhep Qosja, në një “studim” të tij, vlerësoi se një prej terroristëve më të mëdhenj që ka parë Shqipëria, Enver Hoxha, ishte njeri “i shquar” e me kontribute, baras me Skënderbeun.

Por, vetë Qosja dikur, pavarësisht se enverist në bindje, shihej me dyshim nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, sepse ky të gjithë shqiptarët e Kosovës i kishte të dyshuar. Regjimi i Enver Hoxhës kultivoi antikosovarizmin në shoqëri. Shqiptarët e Kosovës tregoheshin me gisht si të “pabesë”, të “poshtër” e kështu me radhë. Një politikë të tillë nuk do zhvillohej kaq mirë nga cilido pushtues të ishte këtu. Vetë Rexhep Qosja që adhuron regjimin e Enverit ishte në vëmendje të organeve të tij në vitet 1974-1981.

Më 20 dhjetor 1974, Drejtoria e Tretë e Sigurimit të Shtetit merrte vendimin për marrjen në përpunim të Rexhep Shaban Qosjes, lindur më 25 qershor 1936 në Vuthaj, banues në Prishtinë, kritik letrar, drejtor i Instituti Albanologjik. Ai konsiderohej “pro titist, që kërkon të fusë të renë në art, është ambicioz dhe mendjemadh”, “kundërshton pikëpamjet tona për periodizimin e letërsisë, mohon sidomos letërsinë e periudhës së luftës dhe mbas luftës nacionalçlirimtare të popullit tonë. Kërkon të bëjë një diversion në letërsinë shqipe, duke ndarë atë të Kosovës nga e jona”, “mban qëndrim denigrues ndaj letërsisë shqipe”, “bën përpjekje për të diskredituar metodën tonë të realizmit socialist”, “mundohet të bëjë për vete një pjesë të inteligjencies kosovare”, e plot të tjera.

Në çeljen e përpunimit theksohej se Rexhepi ishte “kuadër i rëndësishëm” dhe për këtë synohej për të “zbuluar dhe parandaluar aktivitetin e tij armiqësor kundër vendit tonë në fushën e letërsisë dhe artit”. Në drejtim të përpunimit të titistit Rexhep Qosja u përpiluan disa plane.

Rexhep Qosja qëndroi në Shqipëri më 6-28 janar 1970. Në relacionin rreth kësaj vizite, ndër të tjera thuhej: “Ai pranon se në studimet e tij ka mjaft naivitete dhe mendime që mund të rrëzohen, por vë në dukje se qëllimi i tij ka qenë gjithnjë i mirë: të nxjerrë në pah traditat e letërsisë sonë të së kaluarës dhe të pohojë forcën krijuese artistike të popullit shqiptar në ditët e sotme. Në studimet e tij dhe në takime me shokë të ndryshëm, ai ripohoi se ‘s’ka tjetër botëkuptim përpos atij marksist-leninist, se do të mundohet të zbatojë metodologjinë marksiste-leniniste, pavarësisht se sa ia arrin kësaj gjëje’”.

Për herë të dytë ai erdhi me rastin e kongresit të gjuhës në vitin 1972 dhe për herë të tretë qëndroi më 2-10 qershor 1974.

Gjatë qëndrimit në Tiranë (në vitin 1978), ai ndiqej me nofkën “Gjethi”. Qëndrimi ndaj Qosjes ndryshoi më 30 nëntor 1981, kur ai u ul nga përpunimi 2A në kontroll operativ 2B. Gjithsesi dyshimi vazhdoi, pasi ishte kosovar.