LAJMI I FUNDIT:

Bota që pret të shfaqet: Një lexim “letrar” i historisë

Bota që pret të shfaqet: Një lexim “letrar” i historisë

Brenda qenësisë historike, brenda asaj kohe kronologjike progresive në kuptimin e lëvizjes nga pika A në B, ligjësitë e brendshme nëpërmjet mijëra ”rastësive” krijojnë një momentum për shfaqjen e një substance krijuese dhe kulturore që shkëlqen me praninë e vetë në kohën kronologjike. Zakonisht këto intervale kohore pagëzohen si periudha, që në fakt përfaqësojnë pjesët e gjalla të historisë, ato që duhet të merren në shqyrtim dhe përmes të cilave duhet të përcaktohet evoluta historike që është e kundërta e kohës kronologjike. Evoluta është më tepër se lëvizje kuturu në koordinatat kohore të historisë. Ajo mbruhet nga ”pjesët e gjalla” që shënojnë qytetari dhe kulturë. Një ndër periudhat e kësaj evolute është ajo e viteve 1930.

Nga: Bardhyl Zaimi


Historia nuk është një kronologji lineare datash edhe atëherë kur e konceptojmë vetëm si histori në kondita të paravendosura si shkencë. Nga shumë shkrimtarë, por edhe filozofë, është vënë në diskutim legjitimiteti i objektivitetit të historisë për shkak se në shkrimin e historisë gjithnjë kemi të pranishëm subjektin si konstruksion shpirtëror dhe emocional.

Sigurisht, kjo mbetet një temë e gjerë që duhet të debatohet në nivele tjera teorike nga njerëz që kanë ndjeshmërinë dhe dijen për të problematizuar qenësinë e historisë si objektivitet i vendosur në premisat e subjektivës, të forcave dominante, por edhe të diskurseve ideologjike që gjithmonë na largojnë nga objektiviteti dhe e vërteta e pretenduar.

Përtej këtij debati të munguar, ne po përpiqemi të vëmë në spikamë vetëm idenë e momenteve ndriçuese që i japin kuptim historisë për të dekonstruktuar kështu stuhinë e narracioneve që nuk përfaqësojnë esencën e vetë historisë. Për më tepër historia është dokument, njashtu siç është rrëfim botëformues që përcillet nga një brez te tjetri.

Në njëtrajtshmërinë historike, në kohën kronologjike ne njohim momente që i japin kuptim nocionit të historisë dhe kjo përfaqëson atë dimension esencial mbi të cilin ngritet ideja e historisë. Filozofi Begjajev njihte kohën ekzistenciale, atë që është e ndryshme nga koha kronologjike dhe që përfaqëson momentet krijuese të historisë. Lasgushi jonë njihte “pjesët e gjalla” të historisë, ato që përfaqësojnë momente shndërrimi dhe vlejnë për të tashmen dhe të ardhmen si substancë kulturore. Shkrimtarë shkojnë më larg duke ngritur një botë tjetër që shkon përtej rrënojave historike dhe legjitimitetit absolut që e pretendon historia.

Sidoqoftë, që shënon kohën e artë të ridimensionimit shqiptar në përhershmērinë e vlerave evropiane. Është koha kur bota intelektuale shqiptare ishte në interaksiin të plotë me idetë evropiane, në nivel rajonal, por edhe në nivel Evrope.

Pikërisht gjatë kësaj kohe shfaqen emra të jashtëzakonshëm që sjellin në botën shqiptare mendimin evropian, praktikat letrare evropiane dhe trajtime tjera sociologjike, publicistike që hapin një horizont të ri të afirmimit shqiptar, rajonal dhe evropian. Dhe, siç dihet më pas ndodh eklipsi komunist që e rrënoi këtë perspektivë mendimi evropian duke imponuar terrinën ideologjike dhe ” tunelin” e errët gjysëmshekullor në historinë shqiptare.

Dhe, intelektualë kalibër të asaj periudhe e kishin parandjerë këtë rrezik. Në këtë rast po përmendim shkrimin ”Pse nuk jam marksist”, të mendjes më brilante evropiane, Branko Merxhanit. Në fakt ky nuk është vetëm një shkrim, por është një paradigmë që e ndan historinë në dy pjesë, në një kronologji absurde fitimtare ideologjike dhe në një harresë që akoma mbetet e patrandur dhe e pa ridimensionuar si substancë kulturore pikërisht e asaj që nënkupton evoluta si nocion mbothësie.

Nëse pjesa e parë mund të përkufizohet si ”ironi në lëvizje” ashtu siç e quante Sioran historinë, pjesa e dytë mund të përkufizohet si ”pjesa e gjallë”, si një momentum mendimi dhe eksplorimi kulturor prej nga duhet filluar me mbarështrimin e evolutës shqiptare në të ardhmen. Përgjigjet e defekteve tona si shoqëri duhet kërkuar nën rrënojat e historiografisë komuniste, aty ku qetësisht presin momentin e shfaqjes vezullimet e një bote të ndërprerë! /KDPolitik/