LAJMI I FUNDIT:

Borrell: Dialogu në Bruksel, përballje me të gjitha çështjet e hapura

Borrell: Dialogu në Bruksel, përballje me të gjitha çështjet e hapura

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell ka paralajmëruar sot se në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, do të hapen dy çështje që ai i ka quajtur të ndjeshme por shumë të rëndësishme, më saktësisht çështjet e kërkesave pronësore e financiare si dhe aranzhimet për komunitetet joshumicë në Kosovë.

Borrell ka thënë takimet bilaterale do të pasohen me një takim të përbashkët.


“Bisedimet nuk janë gjithmonë të lehta. Prandaj unë jam i lumtur të shoh përkushtim dhe respekt nga të dyja palët. Mirëpres faktin se ata e konfirmuan këtë së bashku në deklaratën e përbashkët ku u shprehen se e kanë si prioritet të lartë integrimin në BE dhe vazhdimin e punës në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, është shprehur Borrell.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së po ashtu tha se është e natyrshme që të ketë edhe qëndrime të ndryshme, por sipas tij, janë aty për të gjetur edhe gjërat e përbashkëta dhe të punojnë drejt normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve të tyre, duke u përballur më të gjitha çështjet e hapura.

Sipas tij, në këtë takim do të bisedohen për aranzhimet për komunitetet joshumicë dhe zgjidhjen e kërkesave të ndërsjella financiare dhe pronësore.

“Të dyja këto tema janë shumë të ndjeshme dhe shumë të rëndësishme për raportet e ardhshme mes Kosovës dhe Serbisë dhe për jetën e përditshme të njerëzve”, është shprehur Borrell.

Ndryshe, sot kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq përmes një deklarate të përbashkët janë zotuar se do t’i japin prioritet më të lartë integrimit në Bashkimin Evropian dhe vazhdimit të punës në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja. /Telegrafi/