Bojken Abazi i Vetëvendosjes deportohet prej Kosovës

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se Boiken Abazi, pasi është arrestuar prej policëve civilë, është dërguar në stacion, ku i është dhënë një vendim për ekstradim me forcë, të cilin Boiken Abazi ka refuzuar ta nënshkruajë, për shkak se argumentet e paraqitura në atë vendim, janë të pavërteta.
Sot, rreth orës 13:30, tre policë civilë kanë arrestuar Sekretarin e Marrëdhënieve me Jashtë të Lëvizjes Vetëvendosje, Boiken Abazin.
Boiken Abazi është arrestuar në një lokal, afër zyrave të Lëvizjes.
Sipas VV-së, në vendimin policor shkruhet se Boiken Abazi ka dalë prej Kosovës në datën 03.02.2016 dhe nuk ka të dhëna për hyrje të ligjshme në Kosovë.
“Ky është një mashtrim i drejtpërdrejtë. Boiken Abazi ka hyrë legalisht në Kosovë, në të njëjtën ditë, duke qenë në shoqërimin e nënkryetares së Kuvendit, Aida Dërguti, dhe Ramadan Deliut, dhe duke kaluar kontrollin normal kufitar në pikën doganore të Morinës”.
“Boiken Abazi nuk është përballur me asnjë trupë gjykuese, nuk i është dhënë mundësia të ankohet, apo të apelojë vendimin që është marrë ndaj tij, dhe nuk është lejuar të takohet me avokat - duke ia pezulluar kështu arbitrarisht edhe të drejtat e liritë themelore të përshkruara në konventat ndërkombëtare ku bën pjesë edhe Kosova. Menjëherë, Boiken Abazi është dërguar me shoqërim të policisë në zonën neutrale mes Kosovës e Shqipërisë. Atë nuk e kanë lejuar të marrë as veshjet e as dokumentat e gjësendet personale. Pra, Boiken Abazi është trajtuar si person i rrezikshëm, edhe pse askund në vendim nuk shkruhet se ai është person i rrezikshëm e se duhet trajtuar si i tillë”.
“Gjatë udhëtimit, policët i kanë thënë se po detyrohen që t'i bëjnë këto veprime vetëm për shkak të urdhrave, edhe pse nuk po pajtohen me to”.
“Deportimi i Boiken Abazit, i cili është anëtar i Kryesisë dhe Sekretar për Marrëdhënie me Jashtë në Lëvizjen VETËVENDOSJE! po bëhet për dy arsye: sepse është anëtar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe sepse është shtetas i Shqipërisë. Prej Kosovës nuk deportohen shtetasit e Serbisë që ushtrojnë aktivitete në strukturat ilegale paralele në Kosovë, apo anëtarët e mafisë ballkanike që bashkëveprojnë me pushtetarët e Kosovës. Por, po deportohet një qytetar i Shqipërisë, vetëm për angazhimet dhe aktivitetet e tij politike e kombëtare”.
“Shteti i fundit që ekstradon qytetarë të Shqipërisë për shkak të angazhimit të tyre politik, ka qenë Greqia. Tash, këtë gjë e bën dhe Kosova. Qeveria antishqiptare e proserbe e Kosovës, po kthen në kujtesën tonë vitet më të errëta të përndjekjes politike dhe të terrorit ndaj shqiptarëve. Kosova e Zajednicës dirigjohet nga Beogradi i Vuçiqit, prandaj ajo nuk mund të jetë as demokraci e as shtet i shqiptarëve, edhe pse shqiptarët luftuan dhe dhanë jetën për të pasur pavarësi në tokën e tyre”.
“Neomillosheviqët e qeverisë së Isa Mustafës nuk do t'i lejojmë t'i përzënë arbitrarisht shqiptarët prej Kosovës, për shkak të angazhimit të tyre politik. Mbështetësit e fashizmit në Kosovë janë duke gjetur tek qytetarët e Shqipërisë "hebreun" e tyre, dhe janë duke i përdorur mjetet e tyre propagandistike, mediet e portalet, për të bërë thirrje për linçime. Por Kosova është atdhe i të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen, e shumë shpejt do të bëhet edhe republikë demokratike, prej së cilës asnjë qytetar, i asnjë vendi të botës, nuk do të mund të deportohet arbitrarisht”, thuhet në njoftimin e VV-së të publikuar në Facebook. /Telegrafi/





















































