LAJMI I FUNDIT:

Blodin Ukella – dikur refugjat i luftës nga Kosova, sot themelues i biznesit të çajit të ftohtë në SHBA

Blodin Ukella – dikur refugjat i luftës nga Kosova, sot themelues i biznesit të çajit të ftohtë në SHBA

Pirja e çajit ka qenë një ritual i përditshëm për Blodin Ukellan, sa edhe si ilaç për të gjitha sëmundjet.

Si fëmija më i vogël, Blodini kujton se si familja e tij u largua nga Kosova gjatë luftës më 1999 dhe atyre iu dha një vendbanim pa qira në Cape May Court House të New Jerseyit, përmes një programi për refugjatët.


Mjekimi në shtëpi, për familjen e tij, ka mbetur një traditë e ruajtur edhe sot e kësaj dite.

“Ky ishte fillimi i rrugëtimit të Ryl-it, sepse ishim të tronditur kur pamë se si shumica çajrave që konsumohen në SHBA janë të ngarkuara me sheqer të rafinuar ose përbërës artificialë, të cilët mund të kenë ndikime negative në shëndetin e njeriut”, thotë Ukella për Forbes, përcjell Telegrafi.

Vite më vonë, kur ai vendosi të themelonte The Ryl Company, pasi kishte punuar si drejtues financiar në disa kompani të pijeve – si Bai Brands dhe OWYN – është zotuar se do të sjellë përfitimet shëndetësore të çajit në një format të përshtatshëm për konsumatorin amerikan.

Blodin Ukella, themelues i çajit të ftohtë “Ryl”

Kompania ka debutuar me çajin e konservuar në kanaçe të aluminit me katër shije të ndryshme: çaj jeshil, çaj i zi pjeshke, çaj i zi mjedre dhe çaj i zi limoni.

The Ryl Company ka kaluar një proces zhvillimi nëntë-mujor duke filluar në mars 2022 dhe ka marrë një mbështetje financiare prej 6.7 milionë dollarësh nga disa investitorë strategjikë për të krijuar një produkt të gatshëm për treg.

Çdo produkt Ryl pa gluten dhe jo-GMO [organizëm i modifikuar gjenetikisht] në një kanaçe jep 20 miligramë kafeinë, 30 miligramë l-theanine dhe 200 miligramë polifenol, derisa është i ëmbëlsuar me fruta dhe stevia tërësisht natyrale – kjo formulë e lejon produktin të arrijë atë që Blodini e përshkruan si “një kombinim i rrallë i shijeve tradicionale të çajit të ftohtë dhe përfitimeve funksionale të çajit të zier”.

“Qëllimi ynë kryesor është të ofrojmë transparencë funksionale dhe të bindim konsumatorët. Teknologjia e polifenolit të Ryl-it është një proces hibrid që ne e përdorim për të siguruar që doza e ofruar në çdo kanaçe të jetë e qëndrueshme”, shpjegon Ukella.

Polifenolet janë antioksidantë që ekzistojnë natyrshëm në fruta, perime dhe pije, derisa konsumimi afatgjatë i dietave të pasura me polifenole bimore mund të ndihmojnë në parandalimin e zhvillimit të kancerit, diabetit dhe sëmundjeve të tjera.

Megjithatë, këto lëndë ushqyese mungojnë kryesisht në çajërja – një treg botëror prej 33 miliardë dollarësh, e që parashikohet të ketë rritje në vitet në vijim.

Në fund, Ukelli thotë se çaji është pija e dytë më e konsumuar në mbarë botën dhe se këto risi janë vetëm maja e ajsbergut në evolucionin masiv të pijeve funksionale. /Telegrafi/