Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama i është drejtuar përmes një letre kryeministrit në detyrë Albin Kurti, ku i ka bërë thirrje urgjente që të ndërmarrë veprime pas bllokadës që sipas Ramës po kërcënon funksionimin e shërbimeve publike në kryeqytet.

Rama thekson se, përkundër shumë kërkesave drejtuar Ministrisë së Financave, mungesa e përgjigjes dhe veprimeve konkrete ka krijuar situatë kritike.


“Kërkesat tona janë të qarta dhe të bazuara në ligj: Alokimi i plotë i të hyrave vetanake dhe Zbatimi i vlerave të miratuara për Ndarjen Buxhetore 2025”, ka shkruar Rama.

I pari i Prishtinës ka shtuar se është e papranueshme që qytetarët të bëhen peng i dinamikave politike.

“Përgjegjshmëria institucionale kërkon veprim të menjëhershëm”, ka shkruar Rama.

Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme por edhe më parë Përparim Rama dhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati janë përplasur me postime në Facebook, pikërisht për qështjen e buxhetit të kryeqytetit, duke akuzuar njëri-tjetrin për bllokadë. /Telegrafi/