LAJMI I FUNDIT:

Bletarët e Gjilanit subvencionohen me centrifuga elektrike

Bletarët e Gjilanit subvencionohen me centrifuga elektrike

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dhe drejtori i Bujqësisë, Ramiz Ramadani, kanë përgëzuar përfituesit e 30 centrifugave elektrike dhe kanë garantuar për rritje të buxhetit për sektorin e bujqësisë gjatë vitit 2019.

Haziri ka thënë se baza e zhvillimit lokal-ekonomik në Anamoravë mbetet bujqësia, e cila është siç ka thënë ai është qeliza e zhvillimit dhe baza kryesore që do të vazhdojmë me investime dhe rritje të subvencioneve.

“Ne jemi regjioni më i madh që po hymë në industrinë e përpunimit të ushqimit, konkretisht përpunimin e mishit. Do të vazhdojmë tutje në bazë të programit për bujqësinë që të financojmë projektet vjeshtore. Jemi përfitues të programeve të Komisionit Evropian, e sot edhe nga USAID-i, që Komuna e Gjilanit është duke kërkuar vazhdimisht programe e projekte në emër të bujqve”, tha ai.

Ndërsa, drejtori i Bujqësisë, Ramiz Ramadani ka potencuar se në Gjilan nuk ka bletar që posedon mbi 30 bletë e që nuk është pajisur me centrifugë elektrike.

“Planifikimi i Drejtorisë për këtë vit është subvencionimi i mbjelljeve vjeshtore me farë gruri dhe po në këtë vit do të bëhet ngritja e 20 hektarëve me kulturën e arrës, falë mbështetjes së kryetarit Haziri, që Gjilanit i ka siguruar edhe një program zhvillimor në vlerë prej rreth 500 mijë euro dhe sektori i bujqësisë është përfituesi kryesor”, tha ai.

Ndryshe, Gjilani ka 297 bletarë, prej të cilëve 101 bletarë kultivojnë mbi 30 shoqëri bletësh e 196 të tjerë kanë më pak se 30 shoqëri, që mbledhur në total në Gjilan janë gjithsej 6700 shoqëri bletësh. /Telegrafi/