LAJMI I FUNDIT:

Bledi Luzi, “mjeku” i pianove

Bledi Luzi, “mjeku” i pianove

Në kuadër të ciklit “Sekrete mjeshtërie”, Ministria e Kulturës e Shqipërisë, ka publikuar historinë e veçantë të Bledi Luzit të cilit të gjitha rrugët e jetës i lidhen me muzikën si dhe me pasionin e tij për akordimin dhe riparimin e pianove.

Luzi është biri i një violinisti, ka studiuar për obonë dhe punon si instrumentist në Orkestrinën e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore.

“Gjatë kohës që isha student më lindi një dëshirë, ndoshta e fshehur, që të studioja për akordimin dhe riparimin e pianove. Duke ndenjur pranë mjeshtërve profesionistë, u dashurova pas tij dhe sot e vazhdoj si një profesion primar”, shprehet Luzi.

Kur flet për punën që i duhet për të diagnostikuar “sëmundjen” e një pianoje, duket sikur zhvendoset në një tjetër dimension.

“Sekretet janë disa, por të rëndësishme janë përqendrimi dhe përkushtimi maksimal. Janë procese pa fund për riparimin e një pianoje. Janë rreth 9600 detaje. Gjithçka është shumë e imët, si një ekuacion me shumë të panjohura”, tregon Luzi. “Çdo piano ka sekretet e veta, obsione të ndryshme, në varësi të markës, modelit, vitit të prodhimit etj. Ndërkohë që problematikat janë nga më të larmishmet. Duke qenë se janë shumë procese, që lidhen me njëri-tjetrin, është e vështirë të gjesh se ku qëndron problemi me vetëm një të parë. Janë si damarët e një trupi që janë të shpërndara, por edhe të lidhura me njëra-tjetrën”.

Si një kirurg që kujdeset për pianot ai tregon në detaje dhe “sëmundjet e tyre” dhe sesi duhet të mirëmbahen ato.

“Lidhen shumë me ambientin ku mbahen, me temperaturën, lagështirën… që janë armiqtë kryesorë. Pianoja, si çdo gjë tjetër, ka nevojë për mirëmbajtje”, thotë ai. “Është zanat i lodhshëm, pasi kërkon punë shumë të imët, kërkon kohë pa limit, duhet të bësh kërkime, hulumtime mbi markën, kontekstin etj. Shpeshherë na ka ndodhur që instrumentisti të jetë në dilemë nëse duhet ta mbajë apo ta shesë pianon, të investojë për ta restauruar ose jo. Unë gjithnjë u them të mos nxitohen dhe këtë e bëj jo për të pasur punë, por sepse ndarja me një instrument si pianoja është e dhimbshme”.

Luzi tregon se dikur pianot nëpër shtëpia numëroheshin me gishta, por tani ato janë shtuar.

“Më herët piano kishin vetëm muzikantët, kompozitorë, instrumentistë, që ua jepte institucioni apo Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Numëroheshin me gishta. Ndërsa sot kanë ndërruar kohët. Piano nuk kanë vetëm profesionistët, por edhe amatorët, madje përdoren dhe për arredim. Dhe nuk i gjen vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë”, thotë Luzi. “Përpara viteve 1990 gjeje më së shumti pianon çeke ‘Petrof’, atë gjermane ‘August Forster’, kishte edhe piano kineze. Por, mund të kishte edhe piano të vjetra të trashëguara nëpër shtëpi, të tipit ‘Hoffler’. Pas viteve 1990 pati prurje të markave nga më të ndryshme”. /ata/