LAJMI I FUNDIT:

Biznesi i vëllezërve Bojku në Pejë, nuk e ndryshuan recetën e hamburgerëve nga viti 1987

Biznesi i vëllezërve Bojku në Pejë, nuk e ndryshuan recetën e hamburgerëve nga viti 1987

Tre vëllezërit Bojku prej 35 vitesh punojnë së bashku në një punë. Ata janë pronarët e restorantit “Meg Donald-d” që njihen në Pejë dhe gjithë Kosovën.

Hamburgeri është menyja e tyre kryesore që asnjëherë nuk e ka ndryshuar shihen.


Klientët e rregullt nuk hezitojnë të flasin dhe të japin vlerësimet e tyre për këtë ushqim të preferuar.

“E frekuentoj këtë lokal prej shumë vitesh. Shija nuk ka ndryshuar dhe recepti nuk ka ndryshuar”, shprehet një klient i “Meg Donald-d”, për RTV Dukagjinin.

Puna cilësore prej më shumë se 30 viteve, tregon sa me vlerë ka qenë biznesi familjarë i tre vëllezërve.

Më i madhi i vëllezërve Bojku, Dauti, tregon eksperiencën në këtë zanat.

“Jam vëllai i madh dhe bashkë me vëllezërit drejtojmë këtë biznes familjarë. Nuk është e vështirë të punosh edhe në këtë moshë kur kam djemtë e vëllezërit që më japin vullnet për të punuar. Puna e mban njeriun. Prej 35 viteve punoj në këtë profesion dhe jemi ndër të parët në këtë biznes në Pejë”.

Por si ka qenë fillimi i këtyre vëllezërve në këtë biznes tregon Abedin Bojku.

“Kemi filluar këtë biznes në vitin 1987. Kemi qenë pesë vëllezër. Dy vëllezër kanë marrë kahje tjetër ndërsa ne tre vëllezërit jetojmë me këtë biznes”, tregon Abedin Bojku.

“Kur kemi filluar në vitin 1987 ka qenë një befasi për qytetarët e Pejës. Një ushqim i shpejtë për tre minuta në atë kohë ka qenë një befasi. Atë befasi e kemi ruajtur gjithmonë duke ruajtur kualitetin dhe sjelljen ndaj klientëve”.

“Kanë qenë dy biznese të tilla para nesh. Por ata kanë funksionuar në Prishtinë që tashmë janë shuar, ndërsa ne mbetemi më të vjetrit në Kosovë për hamburger”, tregon më tej Abedin Bojku, përcjell Telegrafi.

Gëzim Krasniqi është prej tridhjetë viteve punëtor në këtë biznes dhe ka vetëm fjalë të mira për punën.

“Është një eksperiencë shumë e mirë. E bëjë këtë punë prej 30 vitesh. Jam mjeshtër dhe bëj pjekjen e hamburgerëve. Hamburgeri është e veçantë dhe e bëjë këtë punë me plotë dëshirë”, deklaroi Gëzim Krasniqi.

35 vite me këtë punë sigurisht se kanë sjellë edhe eksperienca të ndryshme edhe për pronarët e lokalit.

“Ka pasur raste kur mërgimtarët sapo kanë arritur në Kosovë kanë ardhur tek ne për të ngrënë hamburger. Duke ju falënderuar diasporës gjatë muajve të verës sigurisht se na shtohet puna. Vitin e kaluar për shkak të pandemisë nuk kanë mundur të vijnë por shpresojmë se do të vijnë verën që po vjen”.

Dëshira e vëllezërve Bojku është që fëmijët e tyre ta trashëgojnë këtë profesion dhe receta e tyre të mos humb asnjëherë./Telegrafi/