LAJMI I FUNDIT:

Bizneset kërkojnë implementimin e Pakos Fiskale 2

Bizneset kërkojnë implementimin e Pakos Fiskale 2

Klubi i Prodhuesve të Kosovës (KPK), Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës (OEAK) dhe Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK) kërkojnë nga Qeveria e Kosovës fillimin e implementimit të gjitha pikave të pakos Fiskale 2.0.

“Ne si organizata kemi investuar kohë dhe mjete të konsiderueshme në përpilimin dhe përgatitjen e pikave të përfshira në këtë pako. Po ashtu ndërmarrjet prodhuese në Kosovë e kanë planifikuar planin e punës duke u bazuar në zbatimin e kësaj pakoje. Andaj, çdo vonesë e mëtutjeshme në zbatimin e kësaj pako nuk është e justifikueshme dhe do të ketë implikime negative në operimin e ndërmarrjeve prodhuese duke i bërë më pak konkurrente në tregun e Kosovës”, theksohet në njoftim.


Përmes kësaj pakoje, prodhuesit vendore do të jenë të barabartë me prodhuesit e rajonit dhe këto masa do të ndikojnë pozitivisht në rritjen e prodhimeve “Made in Kosova” në treg, rritje të punësimit si dhe rritje të të hyrave për institucionet e Republikës së Kosovës.

“Kërkojmë që Qeveria e Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministria e Financave të fillon të implementon këtë pako menjëherë dhe pa ndryshime të mëtutjeshme”, kërkojnë asocacionet e biznesit në kërkesën e tyre drejtuar Qeverisë së Kosovës. /Telegrafi/