Bisedat në “Viber”, reagon Manaj: E ulët mënyra si doli komunikim i brendshëm për të goditur shtëpinë tonë
Anëtari i kryesisë së LDK-së, Shkëmb Manaj ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit brenda këtij subjekti ku edhe rrodhën disa biseda në grupin “Viber”, ku shfaqeshin pakënaqësi të mëdha lidhur me votat me postë.
Manaj ishte pjesë e këtyre bisedave që u publikuan në media. Lidhur me këtë ai ka thënë se në këtë grup kishte reaguar i fundit, pasi që fillimisht kishte komunikuar brenda strukturave.
“Diskutimet e brendshme janë pjesë e demokracisë tonë brenda LDK-së! Për sa i përket vërejtjeve të mia për procesin e votimit me postë, ju njoftojë se unë nga fillimi, të gjithë komunikimin e kam bërë brenda strukturave tona, asnjëherë nuk kam dal në publik. Fillimisht e kam njoftuar Kryetarin e LDK-së! Pastaj, në grupin e Kryesisë kam reaguar i fundit, edhe pse veç unë kam qenë në atë grup që e kam humbur mandatin e fituar nga ky proces i votave me postë. Kështu jam i edukuar unë, që ta ruaj shtëpinë time politike, edhe atëherë, kur me merret një e drejtë e fituar”, ka shkruar Manaj në Facebook.
Ish-kandidati për deputet ka shtuar se është sjellur në këtë mënyrë pasi që ka vlerësuar se në LDK ka kapacitete që defektet t'i trajtojnë dhe eliminojnë brenda për brenda organizimit politik, për aq sa janë procese politike dhe strukturore.
“Kur ato kanë elemente penale, institucionet e drejtësisë, duhet t'i trajtojnë dhe duhet t'i hetojnë deri në pikën e fundit! Sepse LDK nuk duron individë me shkelje penale brenda saj dhe se ne duhet të jemi në funksion të plotë të institucioneve të drejtësisë”, u shpreh tutje Manaj.
Manaj më tej e ka quajtur të ulët mënyrën sesi doli në opinion komunikimi i brendshëm i LDK-së.
“Mënyra se si ka dal komunikimi ynë i brendshëm në publik, është i ultë. Ajo është pjesë e një fushate të individëve që çështjet e tilla të debatit të brendshëm, dëshirojnë t'i bëjnë kauza politike për ta goditur shtëpinë tonë politike, në kohën kur ajo ka filluar të ringritet! Gjithashtu për ta dobësuar pozicionin e LDK-së në raport me marrëveshjet eventuale për bashkëqeverisjes dhe për të tentuar të shantazhojnë LDK-në, por kanë harruar se sot dhe asnjëherë LDK nuk mund të shantazhohet. Sot, ne duhet të jemi të përbashkuar për shumë arsye dhe për procesin e radhës zgjedhor, të zgjedhjeve lokale”, ka shkruar Manaj.
Manaj i cili së fundmi është emëruar në pozitën e nënkryetarit të Prishtinës, ka shtuar se si rrjedhojë e të gjitha këtyre zhvillimeve, ai ka qenë pre e goditjeve të orkestruara.
“Si rrjedhojë e të gjitha këtyre dhe qëndrimit tim parimorë, unë këto ditë kam qenë pre e plotë goditjeve të orekstruara të brendshme dhe të jashtme. Por, unë jam këtu për të qëndruar ashtu siç e kam edhe emrin, Shkëmb! Thanë se me është mbyllur goja për pozicionin e nënkryetarit të Kryeqytetit. Ju them, se asnjë lidhje ky pozicion nuk e ka me këtë proces dhe për këtë janë në dijeni udhëheqësia e LDK-së dhe Kryetari i Kryeqytetit. Me është kërkuar nga ta që marr këtë përgjegjësi për shkak të angazhimit tim tash e mbi tri vite në Kryeqytet, me qëllim të ruajtjes së vazhdimësisë të proceseve, tash në fund të këtij mandati të parë qeverisës në Prishtinë. Ata që me njohin, e dinë fare mirë se unë nuk bëjë pazare në politikë, prandaj asnjëherë askush nuk ka mundur dhe nuk mundet të ma mbyll gojën mua”, ka shkruar Manaj.
Ai ka theksuar aktualisht është shumë i qetë dhe i lumtur që ata që kanë menduar dhe kanë dashur ta godasin LDK-në dhe lidershipin e saj përmes tij, kanë dështuar.
“Unë jam aq i pjekur politikisht, që ta kuptoj fare lehtë këtë pozicion. Prandaj, dezinformojnë. Por, unë nuk ju kam faj atyre që ju ka humbur rruga në oborr!
LDK ka nevojë për reforma përmbajtësore dhe për unitet funksional. LDK është me e madhe se secili prej nesh! Unë jam këtu, pavarësisht sfidave, sepse asnjëherë nuk kam pasur dhe nuk kam shtëpi tjetër politike përveç Lidhjes Demokratike të Kosovës”, u shpreh Manaj. /Telegrafi/






























