LAJMI I FUNDIT:

BioNTech shpreson se vaksina kundër coronavirusit do të na mbrojë për së paku një vit

BioNTech shpreson se vaksina kundër coronavirusit do të na mbrojë për së paku një vit
Foto: Arkiv

Bashkëthemeluesi dhe shefi ekzekutiv i BioNTech, Ugur Sahin, tha se është optimist që vaksina eksperimentale kundër coronavirusit, do të na mbrojë së paku një vit.

Vaksina eksperimentale kundër coronavirusit është zhvilluar nga kompania farmaceutike amerikane Pfizer në bashkëpunim me kompaninë e bioteknologjisë gjermane, BioNTech.


Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, të dyja palët deklaruan të hënën se vaksina e tyre tashmë ka rezultuar 90 për qind efektive.

“Ne duhet të jemi optimistë se efekti  i imunizimit do të mund të zgjasë të paktën një vit”, u shpreh Sahin për Reuters.

Ekspertët kanë deklaruar se menaxhimi i pandemisë mund të bëhet në mënyrën më të lehtë me anë të një vaksine efektive kundër coronavirusit.

Autoritetet kanë theksuar se furnizimet fillestare të vaksinës së Pfizer do të jenë të kufizuara. Rreth 50 milionë doza, të mjaftueshme për të vaksinuar 25 milionë njerëz, pritet të jenë në dispozicion deri në fund të vitit.

Prej andej, Pfizer synon të prodhojë një total prej 1.3 miliard dozash përgjatë vitit 2021. /Telegrafi/