Binjaket që flasin, lexojnë dhe përqafohen para gjumit - pamjet e tyre u bënë virale

Një nënë nga Long Island, New York, zbuloi një ritual të veçantë të vajzave të saj binjake pasi pa pamjet e regjistruara nga monitori i foshnjave. Binjaket identike, Maple dhe Fiona, shihen duke biseduar, lexuar libra dhe përqafuar njëra-tjetrën derisa i zë gjumi.
MariLuz Roth, e cila merret me zhvillimin e fëmijëve, publikoi videon në profilin e saj në Instagram, @doublethemilestones. Pamjet u përhapën me shpejtësi në internet dhe deri tani kanë mbledhur rreth 1.3 milionë shikime.
Në momentin kur u regjistrua videoja, vajzat ishin pak më shumë se dy vjeç. Ato shfaqen në shtratin e tyre duke kaluar kohën së bashku në mënyrë të qetë, duke folur dhe shfletuar libra, përpara se të përqafohen dhe të bien në gjumë.
“Kështu i zë gjumi shumicën e mbrëmjeve”, tha MariLuz për Newsweek, duke shtuar se për vajzat kjo sjellje duket krejtësisht e natyrshme.
Sipas saj, familja nuk ndjek ndonjë metodë të veçantë për t’i vënë në gjumë. Rutina nis pas darkës, kur binjaket i urojnë babait natën e mirë. Më pas, ato kalojnë pak kohë duke lexuar, biseduar dhe luajtur qetësisht.
Edhe leximi i librave shpesh zgjat më shumë nga sa pritej. Vajzat diskutojnë për ilustrimet, bëjnë pyetje dhe së bashku me prindërit krijojnë histori të reja.
“Shumicën e mbrëmjeve kalojnë disa minuta, e ndonjëherë edhe më gjatë, duke biseduar, duke luajtur qetësisht ose duke lexuar së bashku, përpara se natyrshëm t’i zërë gjumi”, shpjegoi nëna e tyre.
Për MariLuz, kjo pamje ka edhe një domethënie të veçantë. Duke parë lidhjen e ngushtë mes vajzave, ajo kujton kohën që ato kanë kaluar së bashku që kur ishin ende në barkun e saj.
Videoja ka prekur mijëra përdorues në rrjetet sociale, të cilët e kanë cilësuar rutinën e binjakeve si një moment “të çmuar” dhe “të mrekullueshëm”. /Telegrafi/










































